Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Xhuljeta Kërtusha ka firmosur shkarkimin nga detyra të Drejtorit Rajonal të Sigurimeve Shoqërore në Elbasan, Ervis Xhelo, me arsyetimin se ka marrë pjesë në fushatë elektorale.

Ministria njofton se ka prova dhe fakte që Ervis Xhelo mori pjesë në fushatën e PDIU  gjatë orarit zyrtar të punës.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka apeluar përsëri që të gjithë punonjësit e administratës dhe institucioneve në varësi, të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi për të mos u përfshirë dhe ekspozuar publikisht në aktivitete të fushatës zgjedhore, gjatë orarit zyrtar të punës.

MMRS thotë se është e angazhuar që në zbatim të ligjit dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave, të monitorojë dhe marrë masa për rastet e denoncuara dhe verifikuara. Nga ana tjetër kërkohet bashkëpunim dhe vendosmëri në zbatimin e ligjit edhe nga drejtuesit e institucioneve, të cilët kanë përgjegjësi direkte në lidhje me aktivitetin e punonjësve të tyre.

/tvklan.al