Shumë njerëz në botë besojnë se lejlekët sjellin lumturi, ndërsa me këtë pajtohet edhe peshkatari i moshuar turk Adem Yilmaz, i cili ka një miqësi të pazakontë me këtë shpend.

Anadolu Agency (AA) tha se peshkatari Yilmaz është një nga peshkatarët më të vjetër në liqenin Uluabat në Bursa, kurse prej gjashtë vitesh ruan një miqësi të ngushtë me lejlekun e bardhë.

“Ky vend është i njohur si fshati i lejlekëve të bardhë, kurse me një nga këta shpendë kemi miqësi tash gjashtë vite. Çdo mëngjes vjen tek varka ime për ta ushqyer dhe më ndjek gjatë ditës në liqen. Isha i befasuar kur lejleku u ul për herë të parë në anijen time. Mendova se është i uritur dhe i dhashë të hajë dhe as që më shkonte mendja që ishim bërë miq”, tha Yilmaz.

Duke theksuar se lejlekët kalonin aty vetëm gjashtë muaj, ndërsa pjesën tjetër të vitit e kalojnë në jug, Yilmaz tha se lejleku i tij është ndër të parët që kthehet pas përfundimit të sezonit të shtegtimit.

“Pasi kthehet më gjen, kudo që të jetë varka ime në liqen ulet aty. Në tufë gjithmonë janë rreth 50 lejlekë, por vetëm lejleku im zbret në varkën time, askund tjetër. E dua dhe shoh se edhe ai më do mua”, tha Yilmaz.

Yilmaz kujton se në një rast një lejlek tjetër kishte zbarkuar në varkë, por ‘mikesha’ e tij e kishte reaguar me xhelozi dhe e kishte larguar.

Duke theksuar se lejlekët janë shpendë të bukur, të dashur dhe emocionalë, Yilmaz tha se lejlekut i ka dhënë emrin Yaren, që në gjuhën turke do të thotë mik i ngushtë.

[ngg_images source=”galleries” container_ids=”338″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]