Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme miratoi disa ndryshime në Udhëzimin nr. 1, datë 23.12.2020, të KShZ “Për përcaktimin e rregullave për depozitimin e verifikimin e dokumentacionit të kandidimit, afatet për publikimin e listave të kandidatëve dhe miratimin e modeleve të kandidimit”. Ndryshimet reflektohen në modelet e dokumenteve të kandidimit që duhet të plotësojnë kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme për organet e vetëqeverisjes vendore të datës 6 Mars.

Komisioneri miratoi gjithashtu, mënyrën e administrimit të dokumentacionit zgjedhor e të asgjësimit të fletëve të votimit për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 Prill 2021. Fletët e votimit të përdorura në zgjedhjet e 25 Prillit dhe fletët e votimit të printuara nga pajisja e votimit dhe numërimit elektronik (PEVN) do të asgjësohen përmes mënyrës së riciklimit. Ndërsa, kutitë e votimit dhe kutitë e materialeve zgjedhorë në të cilat janë evidentuar indiciet për kallëzimet penale të bëra pas verifikimit paszgjedhor dhe ato për të cilat është vendosur sekuestro nga organet kompetente, nuk hapen dhe sistemohen në një vend të posaçëm në mjediset e magazinave të KQZ.

Gjithashtu, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi procedurat operacionale për shkatërrimin e të dhënave personale në pajisjen elektronike të identifikimit (PEI) dhe sistemin elektronik të identifikimit të votuesve (SEIV) në KQZ, të përdorura në zgjedhjet e datës 25 prill 2021. Dokumentet e printuara nga pajisjet elektronike të identifikimit me të dhëna sensitive të zgjedhësve që ndodhen në kutitë e materialeve zgjedhore do të asgjësohen, ndërsa të dhënat biometrike për të cilat nga procesi i kryqëzimit të të dhënave ka rezultuar votim i shumëfishtë dhe është bërë kallëzim penal në organet përkatëse, do të ruhen deri në përfundim të hetimit.

Projektvendimi “Për caktimin e partive politike që do të propozojnë anëtarët dhe sekretarët e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje të datës 6.3.2022” do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme./tvklan.al