Pas një seance maratonë prej 16 orësh Kuvendi miratoi në parim vetëm me votat e maxhorancës projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2018.

Votimi u parapri gjatë të enjtes me debate të ashpra mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të demokratëve Lulzim Basha. Për kreun e qeverisë buxheti i vitit 2018 garanton rritjen ekonomike, e në mënyrë të veçantë të investimeve publike. Por Lulzim Basha tha se ky buxhet do të shërbejë si skemë për të pastruar paratë e krimit e drogës.

Por çfarë parashikon të sjellë ky dokument për vitin 2018. Numri i të ardhurave përllogaritet në vlerën e 464 miliardë lekëve,  ai i shpenzimeve në 496 miliardë lekë dhe defiçiti në vlerën e 32 miliardë lekëve. Për vitin 2018 qeveria parashikon që ekonomia të rritet me 4.5% dhe borxhi të ulet me 2.5%.

Buxheti për herë të parë rrit me 200 milionë euro të ardhurat nga taksat, pa rritur barrën fiskale. Qeveria e mbështet këtë tregues në rritjen e ekonomike dhe luftën kundër evazionit fiskal.

Risi e këtij buxheti për qeverinë e majtë është mbështetja që i jep sektorit infrastrukturor duke rritur me 40% shpenzimet për këtë zë dhe duke i plotësuar me 8 projekte përmes programit “1 miliard euro”, të gjitha këto duke ulur treguesin e borxhit me 2.5%.

Tv Klan