Futbolli po ndryshon çdo ditë e më shumë. UEFA vendosi të eksperimentojë edhe zëvendësimin e katërt në një ndeshje futbolli ndërkombëtare, natyrisht nëse sfida shkon te pjesët shtesë.

Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e fundit që zhvilluar në Kardif përcaktoi finalet e Europianit të 21-vjeçarëve, atë të femrave si pikënisjen e provave dhe për moshën deri 19 – vjeç. Të dy aktivitetet do të zhvillohen këtë verë, ku temperaturat e larta i lodhin më shumë lojtarët.

Në një rast është përdorur ky zëvendësim, më saktë në sfidën gjysmëfinale të FA Cup mes Arsenal dhe Manchester City. Iheanacho hyri në fushë në minutën e 105’ në vend të Sterling.

Ekzekutivi i UEFA-s nuk e kaloi propozimin për përjashtimin me kohë të futbollistëve, por do të eksperimentohen kartonët e verdhë dhe të kuq për stafet teknikë. Do të vijojnë provat edhe me mënyrën e goditjes së penalltive.

Nëse ekipi A nis serinë e 11-metërshave, ekipi B do të ketë të drejtë të godasë dy 11-metërshat pasues. Testet e parë u kryen në finalet e Europianit të 17-vjeçarëve për meshkuj e femra.

Tv Klan