Në mbyllje të misionit për rishikimin e shtatë të Programit, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka lënë  porosi qeverisë shqiptare që të përshpejtojë më tej reformat në sistemin gjyqësor, në uljen e nivelit të kredive me probleme, të përmirësojë klimën e  biznesit dhe të përshpejtojë reformat strukturore sa i takon të drejtave të pronësisë. FMN vlerëson se treguesit e programit janë përmbushur nga qeveria dhe se është arritur një marrëveshje për rishikimin e radhës.

Anita Tuladhar, FMN:  

“Kërkohet një ulje e mëtejshme e kredive me probleme dhe të vazhdohet me kredidhënien në ekonomi. Për të përmirësuar klimën e biznesit më tej, nevojitet që të vazhdohet puna me reformat strukrurore sa i takon të drejtave të pronësisë, reformës në drejtësi dhe në fushën e së drejtës së shoqërive.”

Si kërcënim për realizimin e të ardhurave në vend , FMN sheh rënien e çmimeve të naftës dhe për këtë thotë se e ka këshilluar qeverinë të shohë mundësinë e uljes së shpenzimeve buxhetore. Inflacioni sipas FMN -së, do të vazhdojë të jetë i ulet nën 2 % si rrjedhojë e uljes së çmimeve të artikujve ushqimorë dhe të karburantëve. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me koncesionin e TVSH – së se FMN thotë se është shumë e rëndësishme që të të ndërmerret një analizë e riskut dhe një analizë e mirë kosto përfitime.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj gjeti rastin të paralajmërojë aksion të përhershëm kundër informalitetit.

“Do të ndryshojë fokusi i luftës ndaj informalitetit, që nuk do të jetë me aksione, por i përhershëm, përmes analizave të riskut dhe kontrolleve të targetuara. Po përqendrohemi te segmentet me risk të lartë.”

Analiza e performancës ekonomike, e bërë nga misioni i  FMN i hap rrugë dhënies së këstit të shtatë të kredisë për Shqipërinë prej afro 36 milionë euro, që do të lëvrohet në muajin maj. Kjo është pjesë e marrëveshjes tre vjeçare qeveri FMN për marrjen e kredisë prej afro 300 mln euro.

Tv Klan