Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë nga dita kur Qeveria prezantoi kompaninë e re, që ka marrë në shfrytëzim rafinerinë e vetme të përpunimit të naftës në Shqipëri ARMO, në ekstraktet e Qendrës Kombëtare të Biznesit, i cili është dokumenti i vetëm që tregon pronarët e ligjshëm të saj nuk është bërë asnjë ndryshim pronësie.

Në këto dokumente figuron ende si administrator kompanie Cristophe François-Bernard Darbord, i emëruar që në vitin 2015.

Në një kohë që ARMO ishte praktikisht e falimentuar dhe e zhytur në borxhe prej qindra miliona eurosh, si ndaj shtetit ashtu edhe privatit, kalimi i rafinerisë së Ballshit tek kompania offshore e regjistruar në ishujt Virgin, “Ionian Refining dhe Trading”, ende nuk është bërë transparente.

Qeveria nuk ka dhëne asnjë sqarim për shumën që është paguar për ketë aset, apo për mënyrën se si do të zgjidhet çështja e borxheve te ARMOS-s, që arrijnë në afro 595 milionë dollarë.

85 milionë dollarë janë në total shuma që kompania i detyrohet shtetit. Por revista Monitor, në një investigim të saj mbi këtë çështje, shkruan se gjitha këto penalitete përfitojnë nga falja, në bazë të nismës së ndërmarrë për amnistinë fiskale.

54 milionë dollarë janë tatim i shtyrë në vite, qe është krijuar përpara vitit 2011. 25 milionë dollarë janë detyrimet e reja ndaj Drejtorisë së Doganave dhe 5 milionë dollarë ndaj Tatimeve.

Nga Ministria e Financave është folur për një amnisti të plotë e detyrime të papaguara, gjobave apo kamatëvonesave nga bizneset para vitit 2011 dhe amnisti e pjesshme pas vitit 2012.

Tv Klan ka mësuar se pas ndryshimit të transaksioneve, as ministria e linjës, ajo e Energjetikes nuk ka marë në dorë ndonjë plan investimi të aksionarëve të rinj, duke e bërë edhe më të mistershëm fatin e rafinerisë së naftës ARMO dhe të më shumë se 1 200 punonjësve të saj.

I vetmi që është shprehur lidhur me kalimin e rafinerisë se Ballshit, kompanisë së regjistruar në parajsat fiskale, prapa të cilës është e paqartë se kush qëndron, është Ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Gjatë vizitës në Rafinerinë e naftës në Ballsh ai tha se investitori amerikan e ka blerë nga bankat këtë aset dhe procesi është konceptuar si një operacion me vete, privat mes tyre, bankave dhe dy kompanive.

Por edhe ky kalim u mbajt i fshehtë dhe u zbulua vetëm kur Bankers Petrolium publikoi një deklaratë, në të cilën informonte se do t’i jepte kompanisë amerikane 65 % te prodhimit të saj për ta përpunuar në rafinerinë e Ballshit, që ajo zotëronte tashmë. / TV KLAN