Një ditë vjeshte me diell, në Shtator të vitit 2014, trupi i një gruaje doli në anë të kanalit Lunel, në kënetën e Montpellier, Francë. Policia franceze fillimisht supozoi se ajo ishte mbytur. Nuk kishte shenja dhune, por fakti që ajo ishte lakuriq ishte shkak për shqetësim.

Trupi ishte ai i Silvana Beqirajt, një grua shqiptare. Silvana ishte me origjinë nga Ndërmenasi, një fshat në Fier. Një grua e divorcuar, nënë e dy fëmijëve, ajo kishte emigruar në Francë katër vjet më parë, duke lënë fëmijët e vegjël me prindërit e saj. Një tjetër grua shqiptare, Bukurie Elmazi, gjithashtu nga Fieri, kishte shkuar në Francë me Silvanën në vitin 2011, duke e bindur atë të emigronte për “

mundësi më të mira

”, sipas familjes së Silvanës. Elmazi ishte ajo që identifikoi trupin e Silvanës.

“Ajo na tha se kishe shkuar në Francë për t’u kujdesur për një grua të moshuar”,

tha babai i Silvanës, Mehmet Beqiraj, kur unë shkova të vizitoj familjen e Silvanës në një fermë të vogël, të rrënuar. “

Por ne të gjithë kishim dyshimet tona”.

Një hetim për vrasje nisi në Francë menjëherë pasi u zbulua se Silvana ishte përfshirë në prostitucion në Montpellier, por familja e saj ende nuk ka asnjë ide se çfarë mund të ketë ndodhur me të. Shkaku i saktë i vdekjes nuk është vërtetuar kurrë nga policët apo mjekët ligjorë dhe deri më sot askush nuk është arrestuar apo akuzuar.

Familja e Silvana refuzon të pranojë se vajza e tyre është trafikuar, duke preferuar të besojë se nëse ajo ishte përfshirë në prostitucion, atëherë e kishte bërë me dëshirë këtë gjë.

“Nëse ke një tutor apo një trafikant që të kontrollon, atëherë nuk mund të kesh shumë para”,

tha vëllai i saj (i cili e mbajti identitetin e fshehur) dhe që është ende i mbytur nga dhimbja.

“Ajo na dërgonte shumë para. Nëse do të kishte ndonjë tutor, ai s’do ta lejonte atë të na dërgonte para”.

Megjithatë provat kanë dëshmuar të kundërtën. Vëllai i saj tha se burrat të cilët e dërguan Silvanën në Francë, jetojnë ende në fshat, ndërkohë që Mehmeti tha se Silvana dërgonte vetëm shumë të vogla parash, kur kishte mundësi. Gjë që u vërtetua edhe nga gjendja e dobët ekonomike e familjes.

Ditë pasi ai dëgjoi për vdekjen e së bijës, Mehmeti udhëtoi për në Montpellier për t’u takuar me policët.

“Konsullata e Shqipërisë në Francë më siguroi vetëm një përkthyes dhe asgjë tjetër. Unë u trajtova shumë keq, ata ishin arrogantë dhe më injoronin

”, tha ai.

Trupi i Silvanës u mbajt nga mjekët ligjorë në Francë për shtatë muaj. Kur u lirua, familja u informua se asaj do t’i kushtonte minimumi 6.000 euro për ta transportuar në Shqipëri.

“Ne nuk kishim para”,

tha Mehmeti. “

Por duhet t’i gjenim në ndonjë mënyrë”.

Jeta në fshat nuk ka qenë e lehtë për Silvanën. Ashtu si edhe për femra të tjera që vijnë nga familje tradicionale shqiptare, ajo u martua me mblesëri kur ishte 20 vjeç.

Pas pesë vjetësh, Silvana u divorcua dhe u kthye në shtëpinë e familjes me fëmijët e saj. Brenda një viti Silvana takoi Nuri Çelën, një burrë nga një fshat fqinj. Jo shumë kohë pasi çifti filloi të jetonte së bashku, Çela u qëllua për vdekje ndërsa po hynin në shtëpi.

“Kishte lidhje me një borxh”

, thotë nëna e Silvanës, Yllka, duke qarë.

“Ata i detyroheshin 3.500 Euro dhe gjithçka që Çela bëri ishte të kërkonte borxhin”.

Sipas një gazetareje lokale, Laureta Rroshi, Silvana ia kishte dhënë paratë një bande trafikimi për të organizuar transportin e saj dhe që ajo të ushtronte prostitucionin në Francë. Silvana më pas ndryshoi mendjen dhe kërkoi që paratë t’i ktheheshin.

Është e pamundur të thuash me saktësi pse Silvana vendosi të shkonte në Francë. Por nga ajo çfarë thuhet për femrat që vijnë nga zonat rurale të Shqipërisë, është se atyre u premtohet një jetë më e mirë, pastaj ato përfundojnë me borxhe nga shpenzimet e kostos së transportit dhe akomodimin në shtetet ku shkojnë. Familjet në vendin e tyre marrin kërcënime nëse ato nuk binden.

“Edhe fëmijët e Silvanës ishin të vetëdijshëm se nëna e tyre ishte trafikuar në Francë”

, thotë Rroshi.

“Bandat që transportojnë gratë janë brutale”

Në fund të viteve 1990, qeveria shqiptare filloi të pranonte që trafikimi i femrave ishte një problem serioz. U desh që të thirreshin ekspertë për të këshilluar si të identifikoheshin viktimat dhe të gjurmoheshin autorët.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe milionave të investuara në luftën kundër trafikimit, ai mbetet një problem serioz në Ballkan dhe në veçanti në Shqipëri.

Statistikat e Agjencisë Kombëtare të Krimit tregojnë se në tremujorin e tretë të vitit 2017, shumica e vajzave dhe grave të trafikuara në Britani të Madhe ishin nga Shqipëria.

Vëmendje e vogël i kushtohet krimeve të lidhura me trafikimin në Shqipëri, që do të thotë pak pengesë.

Udhëtimi nga qyteti bregdeti jugor shqiptar i Vlorës në Brindisi, në bregdetin italian, është rreth 90 minuta me anije me motor, prandaj Vlora u bë e njohur si qendër e trafikimit të Shqipërisë. Sot, Fieri është më famëkeq, por Vlora ende ka problemet e saj.

Në Shqipëri, ndëshkimet ndaj viktimave të trafikimit janë aq të ashpra sa ato të zakonshmet. Organizatat antitrafikimi dhe policët tregojnë histori të trishta për torturën e shkaktuar ndaj vajzave dhe grave që përpiqen të arratisen.

Një viktimë 20-vjeçare, që ishte shtatzënë me një nga burrat që e bleu, u gjet dhe u çua në një vend ndërtimi. Në prani të femrave të tjera, të cilët ishin marrë në vend për të parë, ajo ishte rrahur rëndë para se të murosej në një mur betoni, ndërsa ishte ende gjallë.

Femrat e tjera qëndrojnë me trafikantët sepse kriminelët e dinë vendndodhjen e familjeve të tyre dhe u është thënë se do t’i vrasin ata nëse guxojnë të ikin ose të shkojnë në polici për ndihmë.

Disa femra në Vlorë kanë qenë me fat që të gjenin mbështetje në strehën “Vatra” për viktimat e trafikimit.

Në një sallë pritjeje të madhe, të rehatshme në qendër, rreth 20 punonjës, vullnetarë dhe të strehuara ulen, ndërsa fëmijët luajnë qetë aty pranë.

Sara, një nga banoret, thotë se ishte trafikuar nga një burrë i zonës kur ishte vetëm 13 vjeç.

“Ishte një njeri që unë besoja se ishte i dashuri im, por më shiti te tre burra në Tiranë dhe më çuan në Itali”

, tha Sara e cila ka një fëmijë që jeton me të në strehë.

“Gjatë rrugës më përdhunuan, më rrahën, më poshtëruan dhe më trajtuan si kafshë”.

Sara u arratis, kur iu tha të shkonte në një shtëpi tjetër publike në qytetin e vogël pranë Torinos.

Katër vjet pasi trupi i Silvanës u zbulua, policia nuk ka bërë asnjë hap përpara me çështjen.

“Ishte një kujtesë e tmerrshme se sa i rrezikshëm është prostitucioni për femrat shqiptare”,

thotë një zyrtar i policisë Europol aktualisht i dërguar në Shqipëri nga Evropa Perëndimore.

“Bandat që transportojnë femra për këtë qëllim janë disa nga më brutalet që kemi hasur. Edhe rusët kanë frikë prej tyre”.

Gazetarët në Tiranë dhe Fier thonë se asnjë lajm nuk është përcjellë nga Franca në lidhje me hetimin, për një kohë të gjatë. Policia në Montpellier gjithashtu pohon se asnjë informacion nuk është në dispozicion.

Silvana është varrosur në një arë të familjes së saj. Të tjerë të afërm janë varrosur gjithashtu aty, thotë Yllka. Ajo nis të qajë dhe kërkon ndihmë për të zbuluar se çfarë i ndodhi të bijës.

Varri është thjesht një pllakë e ngulitur në një tokë të ngurtë, ku është vënë një fotografi e Silvanës.

“Ne ende nuk mund të përballojmë një gur varri për të”

,  thotë Mehmeti, duke prekur fotografinë. Në pllakë është emri i Silvanës dhe datat e lindjes dhe varrimit të saj. Nuk ka datën e vdekjes, derisa familja të ketë një përgjigje mbi shkakun e vdekjes të së bijës.

Burimi: Julie Bindel, The Guardian 

Shqipëroi: tvklan.al