Qendra e Beogradit është shndërruar në vatër protestash të përditshme kundër kryeministrit në largim dhe presidentit të sapozgjedhur Aleksandar Vuçiç. Protesta që kulmuan të dielën, ku të paktën 20 mijë protestues dolën në bulevardin kryesor ku kanë selinë institucionet kryesore të vendit.

Manifestuesit e grumbulluar me moton “Mjaft më” hodhën parrulla kundër Aleksandar Vuçiçt, njeriut që dominon skenën politike serbe prej vitit 2014. Presidentin e ri e akuzojnë për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit, ku ai u zgjodh me 55% të votave.

 

Hidhen dyshime se ai ka shfrytëzuar listat e votuesve ku figurojnë të regjistruar edhe emrat e personave të vdekur, për të shumëfishuar numrin e votave. Vuçiçin, manifestuesit e akuzojnë edhe për korrupsion. Në fundjavë protestës iu bashkuan edhe sindikatat e ushtrisë e policisë, që si shumë grupe të tjera punonjësish që varen nga buxheti i shtetit ankohen për kushte të kqija pune dhe paga të ulta. 

 

Manifestuesit thonë se nuk janë ngritur në emër të opozitës, por thonë se janë pjesë e shoqërisë civile, që ngre zërin për jetën e vështirë nën qeverisjen e Vuçiç. 

 

Për gazetën Blic, ministri i brendshëm i Serbisë Nebojsha Stefanoviç rreshtoi tre skenarë të mundshëm si arye për organizimin e këtyre protestave,  shërbimet e huaja sekrete, opozita apo miliarderi Xhorxh Soros, i akuzuar shpesh kohët e fundit se po financon manifestime kundër qeverive konservatore nëpër Europë.

 

Protestat po bëhen gjithnjë e më masive. Presidenti i ri Aleksandar Vuçiç i konsideron ato demokratike përderisa nuk janë regjistruar akte dhune. Ndërsa pret që ato të shuhen gradualisht. Por situata është në fije të perit sipas analistëve politike dhe çdo nxitje mund ta tensionojë situatën në vend./ABC News