Në vizitën e saj të parë në Tiranë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, u tregua e drejtëpërdrejtë me klasën politike shqiptare.

Gjatë fjalës së saj përpara deputetëve në sallën e kuvendit, ajo kërkoi miratimin e një reforme të thellë dhe tërësore të gjyqësorit, jo vetëm si kusht për integrimin në BE.

Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE:

“Ka ardhur koha që të kalojmë në një nivel tjetër, duhet një reformë e thellë dhe tërësore e gjyqsorit. Kjo reformë do të hapë rrugën për një rekomandim nga Komisioni Europian për të filluar negociatat. Bëni gjënë e duhur, miratojeni reformën.”

Mesazhi i saj për klasën politike shqiptare ishte shikimi nga e ardhmja.

Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE:

“Çlirohuni nga ajo pjesë e së shkuarës e cila bllokon të ardhmen tuaj. Çojeni këtë vend përpara, silleni Shqipërinë në Bashkimin Europian.”

Reforma në drejtësi ishte në kryefjalë edhe të takimit me Kryeministrin Edi Rama.

Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE:

“Miratojeni reformën, bëjëni këtë gjë, jo vetëm sepse e kërkon Brukseli, por sepse qytetarët shqiptarë e kërkojnë këtë gjë.”

Kryeministri Rama tha se vendi ynë e meriton antarësimin në BE, ndërsa u ndal te kriza e refugjatëve, ku theksoi se Shqipëria nuk do të hapë kufijtë.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë:

“Nuk do të hapim kufijtë dhe nuk do të ngremë mure. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë brenda një plani të përbashkët europian.”

Takimet e zyrtares së lartë të Bashkimit Europian, vijuan me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Më herët, Mogerini u takua edhe me kryetarin e  Kuvendit Ilir Meta dhe mëngjesin e së premtes do të takohet edhe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.

Tv Klan