Me rastin e liberalizimit të vizave nga Komisioni Europian për Kosovën, Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini, u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës .

Mogherini u shpreh se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe ky bashkim i bërë sot tregon se ekziston fuqia për zhvillim të Kosovës në shumë sfera.

“Sot po i tregojmë BE-së se e kemi fuqinë të rrimë të bashkuar pavarësisht ndryshimeve që kemi. Ky është ndryshimi që e pritëm për Kosovën. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën. Rekomandimi për liberalizimin e vizave, nënkupton një hap shumë të rëndësishëm për Kosovën. Për shumë pak ditë do ta festojmë ditëlindjen e Bashkimit Europian. Kur e shoh këtë pjesë të Europës, Kosovën në veçanti shoh të ardhmen e Europës. Bashkimi ynë është që të krijojë lëvizje të lirë përtej kufijve, po ashtu BE-ja ka për qëllim që të krijojë stabilitet ekonomik dhe jam e lumtur që kjo po arrihet,”

ka thënë Mogherini nga foltorja e Kuvendit, raporton Klan Kosova.

Më tej përfaqësuesja e lartë e BE-së ka vënë në pah rëndësinë e liberalizimit për Kosovën dhe ripërsëritjen e qëllimeve të BE-së dhe të Kosovës.

“Më lejoni të ju premtoj se ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku që të krijojmë një të ardhme më të mirë. Për 8 vjet Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në rrugën e saj evropiane. Integrimi i Kosovës në BE mund të ndodhë shumë më shpejt sa e keni menduar. Qëllimi i Kosovës është bashkuar drejt qëllimit të lëvizjes së lirë, dhe për këtë janë mobilizuar të gjithë. E di se sa shumë do të thotë liberalizimi i vizave për popullin e Kosovës,”

ka përfunduar Mogherini.

Më herët, gjatë një dalje për shtyp me kryeministrin Isa Mustafa, komisioneri Avramopoulos nënvizoi se liberalizimi i vizave kërkon që çdo qytetar i Kosovës të respektojë modalitetet e lëvizjes në zonën Shengen dhe se është detyrë e qeverisë së Kosovës të ndërmarrë një fushatë informimi për qytetarët.

Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme në BE u takua edhe me Presidentin e vendit, Hashim Thaçi./tvklan.al