Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i ka kërkuar Presidentit të Maqedonisë të zbatojë Kushtetutën e vendit dhe t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re Zoran Zaevit.

Shumica e deputetëve përfaqëson shumicën e popullit, tha Mogherini dhe është e pamundur të bindet cilido në botën demokratike për të kundërtën.

Mogherini tha se kishte pasur një takim shumë, shumë të gjatë me Presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

I kërkova presidentit të reflektojë në rrugën përpara dhe të ndryshojë vendimin e tij (për të mos ia dhënë mandatin Zaevit), në interes të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe t’i japë mandatin kandidatit që i përket partive që kanë shumicën në parlament, siç thotë edhe Kushtetuta.”

“Kjo është Kushtetuta e këtij vendi dhe ne presim që ajo të respektohet,”

 tha ajo.  

Mogherini tha se ajo që po ndodh në Maqedoni 

“thyen shpirtin e demokracisë, është në kundërshtim me principet demokratike dhe me procesin e integrimit euroatlantik të vendit që është deklaruar si prioritet nga të gjitha partitë dhe vetë presidenti.”

Ajo u bëri thirrje të gjithë liderëve politikë dhe të gjithë atyre që kanë përgjegjësi institucionale të përmbahen dhe të ulin tonet në mënyrë që,

 “kjo krizë politike dhe institucionale të mos kthehet në një konflikt ndëretnik apo akoma më keq, në një konflikt gjeopolitik.”

“Ky është një shtet kompleks në një rajon kompleks dhe në kohë shumë komplekse,”

 tha Mogherini, duke shtuar se gjithkush duhet të tregojë përgjegjshmëri maksimale dhe të evitojë retorikën konfliktuale.

“Nuk na duhet benzinë, tashmë kemi disa zjarre.”

“Vendi nuk është i ekspozuar ndaj kërcënimeve të jashtme, por ka disa probleme serioze të brendshme,

” tha ajo duke u kërkuar liderëve të sillen me përgjegjshmëri.

Mogherini tha se do të raportojë tek ministrat e Bashkimit Evropian të hënën dhe tek kryeministrat dhe liderët e BE-së të mërkurën. /tvklan.al