Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi kanë akuzuar Kryeministrin Edi Rama që mban lidhje me bandat kriminale.

Në një prononcim live në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Basha tha se aleanca me krimin e kryeministrit Rama nuk lindi në zgjedhjet e 2017-ës, por në këto zgjedhje krimi u shtri anekënd Shqipërisë.

“Vendin e ka në kontroll krimi. Ngjarje të tilla janë shtrirë anemanbanë vendit. Rrugët tona, vendet tona, fshatrat tona i sundon krimi dhe kjo është përgjegjësi e Edi Ramës. Situata është jashtë kontrollit. Këta banditë janë gjithandej. Ne do të luftojmë për të drejtën që është e garantuar nga demokracia. Ne do të marrim të gjitha masat që ta mbrojmë të vërtetën duke u nisur nga seanca e ditës së nesërme. Beteja jonë ka qenë e hapur, ka qenë një betejë”,

tha Lulzim Basha.

Ndërkohë, nga ana tjetër Kryemadhi e ka cilësuar Edi Ramën rrezik kombëtar dhe rajonal. Sipas saj, kriminelëve nuk u vjen mirë kur i shan, prandaj pengojnë fjalën e opozitës në Kuvend, duke ju referuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi. Kryemadhi e ka cilësuar njësoj fajtor edhe Ilir Metën kur drejtonte Kuvendin e Shqipërisë.

“Nga deputet kërkohet fjala për procedurë. Ai nuk zbaton rregulloren. Të njëjtën gjë bëri Ruçi dhe me zotin Vasili. Karrigia nuk është e zotit Ruçi. Ne po shkojmë drejt një diktature. Ilir Meta ka bërë më shumë gabime se Ruçi, se njësoj janë. Opozita fjalën ka nuk ka gjë tjetër. Kriminelëve nuk u vjen mirë kur i shan. Edi Rama është një rrezik kombëtarë dhe një rrezik rajonal. Kjo është kambane alarmi për çdo shqiptarë”,

u shpreh Monika Kryemadhi. /

tvklan.al