Milan do të presë Shkëndijen e Tetovës të enjten në orën 20:45 në takimin e parë të play off të Europa League.

Sfida u parapri nga një video mesazh me tone humori i Shkëndijes ku bëhej një krahasim mes dy ekipeve. Skuadra shqiptare që luan në kampionatin maqedonas po tregon se kërkon të bëjë përpara në arenën ndërkombëtare, por kësaj here përballë ka 7 herë kampionët e Europës.

Megjithatë trajneri skuadrës italiane Vincenzo Montella vlerëson kundërshtarin.

“Ka zhvilluar më shumë ndeshje zyrtare duke kaluar 3 ture në Europa League, ndërsa në kampionat mundi ekipin kampion në fuqi. Janë të qartë në lojë dhe në sulm është një lojtar si Ibraimi. Është një ekip i organizuar, por ne duhet të mendojmë për objektivin tonë.”

Montella nuk mendon se kualifikimi do të zgjidhet që në sfidën e parë.

“Nuk jam i mendimit që mund të vendoset që në ndeshjen e parë, pasi vendimtare është sfida e kthimit. Nuk janë asnjëherë ndeshje të lehta.”

Shkëndija e Tetovës edhe pse ka pak shpresa për të kaluar në fazën e grupeve të Europa League do ta shfrytëzojë edhe për tu njohur në futbollin e rëndësishëm./Tv Klan