Një nga agjencitë më prestigjoze në botë për klasifikimin financiar Moody’s, e vlerëson borxhin e Shqipërisë të qëndrueshëm në nivelin B1. Televizioni Klan ka arritur të sigurojë raportin konfidencial, që agjencia i ka nisur Ministrisë së Financave. Moody’s komenton pozitivisht lëvizjen në trajektoren rënëse të borxhit publik, ndërsa thekson se defiçiti në buxhet është më i ulëti në dy dekadat e fundit.

Sipas raportit në 2017-ën , rritja ekonomike rreth 3.8% do të mbështetet nga rritja e konsumit të brendshëm si pasojë e rritjes së pagave dhe pensioneve në sektorin publik. Tregu i punës do të vazhdojë të përmirësohet ndërsa pritet një reduktim i kredive të këqija.

Pavarësisht kësaj, Moody’s tërheq vëmendjen e qeverisë se ka nivelin më të ulët të mbledhjes së taksave në rajon, edhe pse pranon se 2017-ta është një vit ambicioz, që premton të arkëtojë 7% më shumë të ardhura në sajë të mirëadministrimit.

Autoritet parashikojnë se do të mbledhin 7% më shumë të ardhura në 2017-ën dhe 2018-ën. Po ashtu qeveria është duke parashikuar një plan për të mbledhur tatimin e pronës në vlerën reale të tyre. Projekti pilot do të fillojë në Tiranë, në fillim të vitit të ardhshëm.

Por disa risqe për ekonominë mbeten. Një nga këto, për prestigjozen Moody’s janë konçesionet:

Shqipëria historikisht është përballur me risqe në disa drejtime: kthimi i pronave, borxhet e prapambetura, konçesionet e pamonitoruara dhe shpenzimet e larta para elektorale.

Informaliteti në ekonominë shqiptare vlerësohet të jetë nga 35 – 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Tv Klan