Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Shkodrës, duke caktuar masën “arrest në burg” për 3 persona, të cilët dyshohet se kanë kanë marrë peng një person për disa orë, për shkak të një borxhi të pakthyer. Të arrestuarit janë Sandër Shtogaj, Pëllumb Shtogaj dhe Mendim Isufaj.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 10 Shkurt të këtij viti.

Vëllezërit Sandër e Pëllumb Shtogaj, si edhe miku i tyre Mendim Isufaj, sipas akuzës kanë marrë peng gjatë natës shtetasin Z.K. Ky i fundit kishte marrë tek vëllezërit Shtogaj, një shumë prej 2000 eurosh, të cilën duhej t’ua kthente me interes të lartë.

Por Z.K. nuk e ka kthyer në kohë borxhin, së bashku me interesa dhe për këtë arsye, mbrëmjen e 10 Shkurtit, ai është rrëmbyer dhe mbajtur peng për disa orë nga të dyshuarit.

Z.K. është liruar pasi ai ka pranuar të nënshkruajë një kontratë noteriale, në bazë të të cilës u detyrohej vëllezërve Shtogaj në shumën prej 2.5 milionë lekë të reja, pra rreth 10 herë më shumë se sa shuma reale që kishte marrë borxh.

Dy ditë pas kësaj ngjarjeve, ai ka kallëzuar ngjarjen në Policinë e Shkodrës, e cila referoi materialin në Prokurorinë e Shkodrës, ku u regjistrua procedimi për veprat penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “Vetëgjyqësisë”, në bashkëpunim.

Prokuroria arriti të faktonte me prova shkencore se autorët e dyshuar janë shtetasit Sandër Shtogaj, Pëllumb Shtogaj dhe Mendim Isufaj.

Vendimet e gjykatës janë ekzekutuar gjatë ditës së sotme nga ana e forcave të Policisë së Shtetit./tvklan.al