I gjithë territori i vendit u përfshi nga një ulje e ndjeshme e temperaturave, shoqëruar edhe me reshje bore e shiu. Bazuar edhe në parashikimet e Shërbimit Meteorologjik, të gjitha strukturat e emergjencave civile në të gjitha qarqet e vendit, koordinuar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile kanë qenë të angazhuara prej momentit të parë. Sipas informacioneve të marra nga prefekturat, bashkitë dhe ARRSH reshjet kanë pushuar dhe situata sot është nën kontroll.

Aktualisht qarkullohet me zinxhirë në rrugën e Arbrit, Qarku Dibër. Është e bllokuar rruga Peshkopi-Lurë, por lëvizet në aksin Lurë-Rrëshen dhe Xibër-Klos me zinxhirë. Punonjësit e ARRSH ndodhen në terren që prej ditës së djeshme edhe në akse të tjera të vendit, ku në disa zona vijon normalisht qarkullimi, por me zinxhirë.

Po ashtu po punohet nga grupet e OSHEE për kthimin e energjisë në njësitë Kala e Dodës, Reç, Lurë, Selishtë të bashkisë Dibër si dhe në fidrin 6, njësia administrative Lunik, bashkia Librazhd.

Meteorologët parashikojnë rënie të mëtejshme të temperaturave nën zero, ndaj Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre në zonat e thella malore të bëjnë kujdes, të ndjekin këshillat e bëra publike nga Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe të njoftojnë autoritetet vendore në rast nevoje. Të gjitha strukturat e saj janë të angazhuara në çdo moment për të qenë pranë qytetarëve në këto ditë me temperatura ekstreme./tvklan.al