Burrë e grua kanë ardhur nga Greqia në rubrikën “Shihemi në gjyq”, në “E Diela Shqiptare”, për të zgjidhur një problem të së shkuarës.

Entela Himaku rrëfen se 15 vite më parë familja e bashkëshortit të saj, Sajmirit nuk pranonte të celebroheshin në Tiranë, por në Bilisht, ku jetonin vetë. Prej këtij momenti nisën debatet e njëpasnjëshme mes tyre. Ajo shton se në të vërtetë konflikti ka nisur më herët për shtëpinë e familjes së Sajmirit, e cila u shit dhe atij nuk iu dha asnjë gjë.

Entela – Punën që ti e kishe filluar me shumë mundim, ty këta njerëz … pa qenë unë, jo se konflikti nisi tek unë!

Sajmiri –

Jo, nuk vazhdoi tek ty. Unë prandaj kam ikur në Greqi se m’i shitën të gjitha gjërat në fshat.

Sajmiri thotë se ka punuar shumë në Greqi për të investuar në ndërtimin e një shtëpie në Bilisht, por pas vdekjes së të atit, e motra filloi të përfitonte nga largësia e tij. Entela ankohet se familja e bashkëshortit gjithmonë e ka shfrytëzuar këtë të fundit për para, pasi ato vetë nuk punonin, por dëshironin edhe makinë.

“Mua kjo më akuzon se unë kam punuar gjithë këto vite në Greqi dhe nuk kam një shtëpi akoma. Gjithë pengesa është motra ime, që nuk ka të drejtë që të rrijë në shtëpinë që kam paguar unë, kam fakte. Ajo më kërcënon mua nga telefoni. Nuk e di çfarë fuqie paska kjo si femër në Bilisht.”

Ai shton se punëdhënësi i tij në Greqi mund të provojë që Sajmiri i ka dhënë para prindërve të tij për ndërtimin e shtëpisë.

“Nëna ime është e kërcënuar nga ime motër, Valbona Himaku. Unë mbaj përgegjësi për të gjitha gjërat që them.”

Entela shprehet se vjehrra e saj në praninë e tyre e pranon faktin që shtëpinë e ka berë Sajmiri, por jo tek të tjerët, ndaj mendojnë se ajo dhunohet nga e bija.

Sipas Sajmirit, e motra, një ditë para se të firmosej shkresa e dhurimit të shtëpisë, ka telefonuar policinë me pretendimin se ai po e kërcënonte me thikë.

Juristja Çobani tregon se Valbona i ka thënë, nëpërmjet një lidhjeje telefonike, që Entela e ka kërcënuar me jetë. Por kjo e fundit thotë se ka qenë Valbona ajo që e ka kërcënuar në sy të vjehrrës dhe fëmijëve të saj me pushkë.

Sajmiri pretendon se policia nuk ka hetuar për denoncimin e së motrës, pasi ka qenë gjithçka për ta frikësuar, në mënyrë që të largohej. Ai thotë se sa herë shkon për të takuar të ëmën, Valbona thërret policinë.

Për sa i përket shtëpisë në Bilisht, Sajmiri tregon se është e gjyshërve nga e ëma dhe pretendon se ka paguar pjesëtarët e familjes së saj për ta blerë. Kjo banesë është vendosur në emrin e prindërve të tij, pasi ai jetonte në Greqi.

Juristja Çobani i rikthehet shqetësimit të Entelës, asaj çfarë i ka sjellë sot në këtë seancë ndërmjetësimi. Problemi i saj është që bashkëshorti është i shqetësuar nga e motra dhe e ëma, gjë që e reflekton edhe në familjen e tyre.

“Në familjen tonë kemi vetëm këtë problem, që është një stres shumë i madh. Një siklet i tmerrshëm edhe për fëmijët. Vajza ime e madhe kupton më shumë se i vogli, thotë: ‘Mama, gjithë ky stres i babait na shqetëson edhe ne!’ Nuk durojnë më dhe fëmijët. Unë dua që t’i zgjidhë këto gjëra sepse nuk ke më durim!”

Sajmiri vazhdon tregon për denoncimet e së motrës kur i afrohej shtëpisë, ndaj edhe ka 2 vite pa takuar nënën e tij. Kjo e fundit ka dëshmuar në polici se shtëpinë e ka blerë Sajmiri sepse përndryshe do të arrestohej. Për shkak të denoncimit të fundit që i bëri e motra, ai vendosi që t’i bënte edhe ai denoncim për “kallëzim të rremë”.

Juristja Eni Çobani shprehet se Sajmiri duhet të vërtetojë me fakte se sa ka paguar për banesën dhe se kush e ka mirëmbajtur gjatë këtyre viteve. Entela i kërkon për herë të fundit bashkëshortit të zgjidhë problemet me familjen e tij pa ndikuar në shtëpinë e tyre. Sajmiri i premton që nuk do të shkaktojë më shqetësime në familjen e tyre, duke e mbyllur këtë seancë ndërmjetësimi me sukses./ 

tvklan.al