Për një vend të vogël si Shqipëria, 10 të vrarë në 30 ditë nuk janë pak. Që ditën e parë të muaji Prill, një konflikt banal i kushtoi jetën një burri. E si për ta mbyllur këtë muaj në mënyrën më të përgjakshme të mundshme, ditët e fundit të tij, ndodhi një tjetër vrasje, sërish për motive banale. Por arsyet fundja nuk kanë shumë rëndësi, një jetë shuhet duke lënë pas dhimbje për familjet e viktimave, ndërsa për të tjerët vihet gjithnjë e më shumë në dyshim siguria.

Muaji Prill nuk ishte i zakonshëm, jo vetëm për shkak të numrit të vrasjeve, por edhe për faktin se mes viktimave ishin edhe dy ish drejtues të policisë, të cilët u ekzekutuan njëri në hyrje të pallatit e tjetri në mes të rrugës. Në të dyja rastet, në një kohë dhe në vende të populluara nga njerëz të zakonshëm.

Një tjetër ngjarje që padyshim meriton vëmendje të veçantë ishte ajo e ndodhur në Vlorë, në ambientet e një lokali. Sërish për arsye banale u nxorën armët dhe një i ri mbeti i vrarë, ndërsa 3 klientë, të cilët ishin aty për të shijuar një mbrëmje jashtë, përfunduan të plagosur, vetëm sepse ndodheshin në vendin e gabuar, në momentin e gabuar.

Por kush janë viktimat e Prillit dhe çfarë i kushtoi atyre jetën.

1 Prill, Dibër – Vritet Agim Tusha 

Agim Tusha, vetëm 43 – vjeç do të humbiste jetën, sepse kushëriri i tij dyshonte se i ngacmonte bashkëshorten. Kjo bëri që Hamedan Torba t’i merrte jetën kushëririt duke e goditur atë me dru pas koke. Ngjarja kishte ndodhur më 27 Mars, por 43 – vjeçari ndërroi jetë ditën e parë të Prillit në spital, pasi nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

4 Prill, Durrës – Vritet Hurme Çurri dhe Irsid Çurri

Që pas kthimit nga Gjermania, Irsid Çurri vuante nga depresioni. Mesditën e 4 Prillit, ai do të vriste gjyshen e tij 80 – vjeçare, Hurme Çurri, e më pas veten. I riu kishte një vit që ishte liruar nga burgu, pasi në moshën 14 – vjeçare kishte vrarë një bashkëmoshatar, një ngjarje e ndodhur po në Durrës, në ambientet e një lokali nate.

8 Prill, Tiranë – Vritet ish – Drejtori i Policisë së Vlorës Artan Cuku

Të shtunën e 8 Prillit kryeqyteti do të tronditej nga vrasja e një ish – zyrtari të lartë të policisë. Artan Cuku, ish – Drejtor i Policisë së Vlorës, por që gjatë karrierës së tij kishte mbajtur disa pozicione të rëndësishme në Policinë e Shtetit u ekzekutua në hyrje të pallatit të tij, në një prej zonave më të populluara të Tiranës, atë të Liqenit Artificial. Të paktën 5 plumba u qëlluan në drejtim të 42 – vjeçarit, i cili po ngjitej në banesë. Pavarësisht hetimeve intensive, me dhjetëra të shoqëruar, publikimit të pamjeve të autorit të regjistruara nga kamerat e sigurisë në zonë, e shpërblimit të vënë nga policia për këdo që ka informacione, vrasja e Cukut mbetet mister, ashtu sikurse autorët.

10 Prill, Vlorë – Vritet Elidon Mehmeti

Pa hyrë ende mesnata, një breshëri automatiku tronditi qytetin e Vlorës. Elidon Mehmeti, 39 – vjeç ndodhej në makinë në zonën e Skelës, kur në drejtim të tij u qëlluan të paktën 20 plumba. Ai ndërroi jetë në vend, ndërsa autorët mbeten në arrati. Mehmeti nuk ishte emër i panjohur për drejtësinë, pasi dyshohej se ishte marrë me trafiqe të jashtëligjshme. Atentatorët e tij dyshohet të jenë vrasës me pagesë.

11 Prill, DurrësVritet Agim Arapi

Për të dytën herë brenda muajit, Durrësi u trondit sërish, këtë herë nga një vrasje edhe më makabër. 150 mijë lekë të vjetra u bënë shkak për një dhunë barbare, që çoi në vdekjen e 60 – vjeçarit Agim Arapi. Dy vëllezërit Kostandin dhe Kujtim Ekonomi e goditën Arapin me grushta e shkelma duke bërë që burrit t’i pushonte zemra.

21 Prill, Vlorë – Vritet Ergys Gjioveshaj dhe plagosen 3 të tjerë

Gani Tozaj, vetëm 19 – vjeç do t’i merrte jetën një tjetër të riu, e do të plagoste 3 persona të tjerë… gjithçka pas një konflikti të momentit. Ishte ora 23:20 e mbrëmjes, kur Tozaj mori armën dhe qëlloi në drejtim të 33 – vjeçarit Ergys Gjioveshaj, duke e lënë atë të vrarë. Plumbat kapën edhe 3 të rinj të tjerë, të cilët mbetën të lënduar. E gjithë kjo ngjarje ndodhi në ambientet e një lokali nate, në zonën e Ujit të Ftohtë.

25 Prill, Durrës  – Vritet ishshefi i Krimit Ekonomik të Tiranës Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj

Mesditën e 25 Prillit një tjetër ish – drejtues i policisë do të ekzekutohej sëbashku me mikun e tij, në Ndroq. Të paktën 50 plumba u qëlluan mbi ish – shefin e Krimit Ekonomik të Tiranës Ervin Dalipaj dhe mikut të tij, Juxhin Dautaj, teksa lëvizin me makinë. Ata mbetën të vrarë në vend, ndërsa autorë u larguan pa lënë gjurmë. Vetë Dalipaj, që sipas të gjitha të dhënave ishte dhe shënjestra e këtij atentati, ishte në kërkim nga autoritetet prej 15 – muajsh, si një prej të dyshuarve kryesorë të rrëmbimit dhe vrasje së Gazmend Çollakut.

27 Prill, Kurbin – Vritet Zef Doda

Po në dritë të diellit, një tjetër jetë u shua, pasi fqinji e vrau në derë të shtëpisë. 62 – vjeçari Zef Doda me profesion farmacist u vra nga i moshuari 78 – vjeçar Mirash Vukaj. Gjithçka ndodhi pasi mes fqinjëve kishte patur një zënkë për një mur rrethues… një konflikt që i kushtoi jetën 62 – vjeçarit.

/tvklan.al