Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot nisjen e programit të punësimit të të rinjve me anë të praktikave të paguara pranë kompanive private.

 Sipas zyrës së shtypit të Bashkisë, ky program është për të rinjtë që kanë mbaruar shkollën apo kanë marrur një profesion të veçantë, por nuk kanë asnjë ditë eksperiencë pune për t’u punësuar pranë një institucioni apo biznesi privat.

 Të gjithë të rinjtë që plotësojnë kushtet mund të aplikojnë në Bashkinë e Tiranës për të përfituar praktikën e duhur që do të mundësojë një punësim të sigurt.

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot nisjen e programit të punësimit që do të mbështesë një grup prej 40 të rinjsh dhe të rejash për të bërë 6 muaj praktikë pranë sipërmarrjeve private të paguara nga bashkia.

Gjëja e parë për të cilën një kompani të pyet kur ti kërkon punë është: a ke eksperiencë pune. Por, të rinjtë që sapo kanë mbaruar shkollën, nuk e kanë përgjigjen për këtë sepse duhet të fillojnë diku për të marrë eksperiencë. Sot në fakt po adresojmë pikërisht këtë: pra, duam t’i përgjigjemi kësaj pyetje duke filluar me 40 të rinjtë e parë. Nga nesër, jemi të hapur për aplikime ku të rinjtë mund të paraqesin një CV në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe fushën ku do të doje të punoje

”, tha Veliaj.

 Ai bëri të ditur se në bazë të këtij projekti intershipi, Bashkia e Tiranës për 3-6 muajt e parë do paguajë pranë biznesit ku edhe të rinjtë do të kryejnë praktikën, pagën minimale prej 240 mijë lekë, duke i krijuar mundësi praktikantit që të marrë përvojën e duhur për të vazhduar më pas punësimin normal. “Kemi caktuar një buxhet nga Bashkia e Tiranës për të paguar rrogat për 6 muaj për 40 të rinjtë e parë sipas fushave ku ata duan të punësohen”, deklaroi Veliaj.

 Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se të favorizuar për të përfituar nga kjo mundësi do të jenë të rinjtë që kanë mbaruar një shkollë apo kanë një zanat në fushat më të preferuara të tregut të punës, si inxhinieri, arkitekturë etj. “

Kemi rekomanduar kryesisht degët e financës, shumë prej bankave kanë dashur të jenë pjesë e këtij projekti, shumë prej kompanive që bëjnë kontabilitet dhe audit kanë dashur të jenë pjesë e këtij projekti. Dega e dytë më e kërkuar ka qenë teknologjia e informacionit (IT). Shumë prej kompanive që merren me programim na kanë kërkuar të bëhen pjesë e këtij projekti

”, tha Veliaj.

 Ai theksoi se kjo është edhe një mënyrë për të inkurajuar edhe gjimnazistët që në zgjedhjet e tyre për vijimin e rrugës së arsimimit të zgjedhin ato degë dhe fusha që kanë më shumë mundësi punësimi. Veliaj tha se tashmë që teknologjia ka marrë një zhvillim edhe më të madh është bërë e domosdoshme që për t’u punësuar duhet të kesh arsimim që i përgjigjet sfidave të kohës. Veliaj sqaroi se Bashkia e Tiranës ka edhe një sërë projektesh të cilat synojnë që të nxisin sipërmarrjen dhe punësimin, si dhënia e granteve për sipërmarrjet e reja etj./tvklan.al