Një ditë pasi dështoi raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit të Republikës ka dështuar edhe raundi i dytë. Shkak është bërë mungesa e një kandidati për postin më të lartë të shtetit.

Komisioni Parlamentar i Ligjeve konstatoi se nuk kishte asnjë kandidaturë për president as para raundit të dytë të votimit.

Kryetarja e Komisionit të ligjeve, Vasilika Hysi tha se “votimi quhet i kryer edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidat” dhe i kërkoi parlamentit të përmbyllë procedurat për raundin e dytë të zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

“Edhe Raundi i dytë konsiderohet i ezauruar, kështu që ftoj Konferencën e Kryetarëve për të përcaktuar orën dhe datën për raundin e tretë të zgjedhjes së Presidentit. Seanca mbyllet, seancën tjetër do ta njoftojë media,” tha kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

Konferenca e Kryetarëve vendosi që raundi i tretë për zgjedhjen e kreut të vendit të mbahet më 27 prill në orën 15:00./tvklan.al