Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se kjo e enjte për përmbyllet me dy lajme të mira, njëra njohja e pavarësisë së Kosovës nga Singapori dhe tjetra ratifikimi i marrëveshjes financiare IPA 2015 mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, transmeton Klan Kosova.

“Po e mbyllim ditën e sotme me dy lajme shumë të mira për vendin tonë”.

“Republika e Kosovës është njohur zyrtarisht nga Republika e Singaporit dhe dy shtetet tona do të vendosin marrëdhënie diplomatike. Kjo njohje e çon në 113 numrin e vendeve që e njohin pavarësinë e Kosovës duke pasur rol të rëndësishëm në fuqizimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tone”.

“Lajm shumë i mirë është edhe ratifikimi në Kuvendin e Kosovës i Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila i mundëson Kosovës përfitimin e 78 milionë eurove, të cilat do të përdoren për hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe fuqizimin e mëtejmë të qeverisjes së mire”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

Më tej Mustafa ka thënë se Kosova po ecën fuqishëm në rrugën e forcimit dhe zhvillimit të saj të gjithanshëm.

“T’i gëzohemi të gjithë sukseseve tona të përbashkëta e të njëpasnjëshme që po i arrijmë”, ka përfunduar Mustafa./Klan Kosova