Pas verdiktit të popullit, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa shprehet se partia që ai drejton tashmë do të analizojë e do të vlerësojë rezultatet e zgjedhjeve. Reagimi i Mustafës vjen pas publikimit të rezultateve të para të zgjedhjeve parlamentare të 11 Qershorit.

“Të nderuar qytetarë, ju e dhatë vendimin tuaj në këto zgjedhje. Mbi të gjitha mbizotëroi zëri i kundërshtimit.

LDK në ditët në vijim do të analizojë dhe vlerësojë rezultatet e zgjedhjeve dhe do të reflektojmë në interes të anëtarësisë dhe të qytetarëve”.

Mustafa falenderon të gjithë ata që i dhanë besim koalicionit, ndërsa thekson se vendimi do të merret bashkë me deputetët pas certifikimit të zgjedhjeve.

“Vendimin do ta marrim edhe me deputetët pas certifikimit të rezultateve, si dhe me partnerët e koalicionit.

Falenderoj të gjithë ata që ia dhanë besimin koalicionit tonë dhe kandidatit për Kryeministër, prof, Avdullah Hotit, i cili bëri një fushatë dinjitoze në të gjitha fushat”.

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa kanë marrë deri tani 25.81% të votave./tvklan.al