Kryeministri i Kosovës në detyrë dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se partia që ai udhëheq nuk do të bëjë koalicion me PDK-në në kurrfarë varianti, njofton Klan Kosova.

“LDK është parti e cila nuk vepron as sipas kushtëzimeve dhe as sipas shantazheve individuale. As me kutin e propozimeve dhe projeksioneve ad hoc. Qëndrimi i LDK -së është publik se nuk ka koalicion me PDK-në dhe me koalicionin ku është PDK”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ndërsa sa u përket partive të tjera, Mustafa tha se do ta vlerësojnë pasi të dalin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

“Me tjerët vlerësojmë pas certifikimit të rezultateve, por gjithnjë sipas interesit të votuesve të LDK-së”.

“Fushatën e kaluam dhe jam i bindur se, pavarësisht deklaratave të individëve për tu protagonizuar para opinionit, të gjithë e kanë të qartë qëndrimin e organeve dhe strukturave të LDK-së, të cilat janë të vetmet që vendosin për këto çështje”.