Besnik Mustafaj, themelues i Partisë Demokratike, ish- ministër dhe ish- deputet i saj është i pari që i kërkon publikisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashë, si përgjegjës për një prej humbjeve më të thella historike të së djathtës.

Qëndrimin e tij, Besnik Mustafaj e shtjellon edhe në një analizë të gjatë për të përditshmen “Panorama”. Ai shkruan se si pasoje e kësaj humbje te turpshme, Basha duhet te largohet për t’i dhënë mundësinë Partisë Demokratike te ringrihet. 

Ne demokratët, të gjithë, pa asnjë përjashtim, të vjetër e të rinj, duhet të shtrëngojmë dhëmbët për të mbytur dhimbjen dhe të gjejmë forcë te vetja për ta ringjallur Partinë Demokratike, të cilës në zgjedhjet e kësaj here nuk ia pamë as fytyrën në skenat ku fliste për veten e tij kryetari ynë Lulzim Basha. Të gjitha shenjat tona dalluese, me të cilat ne demokratët jemi paraqitur para shqiptarëve qysh në dhjetor 1990 për t’u ushqyer atyre ëndrrën dhe besimin te liria, demokracia dhe barazia e shanseve ishin fshirë për t’i lënë vendin një sajimi të muajve të fundit: “ Republika e re”. Ky ishte sajimi origjinal i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Nuk është hera e parë gjatë këtyre 26 vjetëve që ne demokratët humbim në zgjedhje. Por dështimi i “Republikës së re” është mirëfilli i turpshëm. Dhe është i tillë personalisht për Lulzim Bashën. Prandaj edhe shkundja e Partisë Demokratike duhet të fillojë nga dorëheqja e tij e menjëhershme nga të gjitha funksionet drejtuese në Partinë Demokratike. Do të ishte në nderin e tij që ai  ta kryente këtë veprim qysh sot për veten e tij. Ai nuk ka më asnjë të drejtë të flasë në emër tonë. Lulzim Basha është drejtpërdrejtë përgjegjës pse ne demokratët jemi sot kokulur para kombit për pushtetin e pakufizuar që mori një njeri i rrezikshëm për Shqipërinë si Edi Rama me tarafin e tij’.

Largimi, thotë Mustafaj, duhet te jete i plote, nga çdo funksion, për të mos prishur zgjedhjet në parti dhe për të mos e lënë me Partine Demokratike peng të Edi Ramës.

Lulzim Basha nuk duhet të ketë në dorë asgjë më shumë nga çdonjëri prej anëtarëve të thjeshtë të Partisë. Përndryshe, unë për veten time kam frikë se ai do të  përpiqet ta prishë garën me ndërhyrjet e tij. Unë për veten time nuk besoj më se ai do t’i vendose interesit e Partisë mbi interesat e veta për pushtet.

Tashmë e dimë se Edi Rama do një opozitë, të cilën ta tërheqë për hunde, për ta patur fasadë, siç bëri me Lulzim Bashën në marrëveshjen e fundit. Ne e kemi detyrë historike ta shmangim këtë mynxyrë.

Në analizën e tij, ish ministri Besnik Mustafaj i drejtohet personalisht edhe ish kryeministrit Sali Berisha, te cilit i kërkon të mbështesë haptas jo vetëm dorëheqjen e Lulzim Bashës, por çeljen e garës për kryetarin e ri, ku ndikimi i tij mos të jetë zhballancues, por të vendosë interesat e Partisë Demokratike përmbi preferencat e tij personale, duke i kujtuar se kështu ka vepruar kur kjo force politike ishte nen drejtimin e tij.  

Tv Klan