Ish-ministri dhe ish -deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, një ndër kritikët e Lulzim Bashës pas humbjes në 25 qershor, i cilëson zgjedhjet e nesërme prologun e farsës së nisur nga kryetari i vetëngrirë Lulzim Basha.

“Kjo fushatë që ishte një farsë të mos përmbyllet me një farsë të madhe që është zgjedhja e kryetarit të ardhëm të PD që do jetë sipas kësaj rruge që po ndiqet sërish Basha, është ai njeriu që do e rrënojë me keq PD.”

Prej afro një muaji Mustafaj iu bashkua lëvizjes që kërkon ringritjen e Partisë Demokratike dhe pengimin e garës. I bindur është se zëri i tij dhe kolegëve që janë bërë pjesë e kësaj kauze do të dëgjohet nga demokratët e vërtetë.

 “Do të ketë zëra të arsyeshëm në PD që do ta kuptojnë se kjo është rruga e gabuar që kjo është rruga që i intereson Edi Ramës dhe do ta çoje PD në një gremisje të mëtejshme.”

Farsa siç e cilëson ai garën në PD nuk e pengon që në këto orë të fundit të bëjë një tjetër thirrje për demokratët e zhgënjyer nën drejtimin e Lulzim Bashës.

“Ne nuk kemi një mekanizëm ligjor për ta penguar. Thirrja jonë është për demokratët për të bojkotuar këtë proces fasadë, farsë, fals, por ne më shumë se kaq nuk kemi asgjë tjetër.”

Mustafaj ishte i pari që i kërkoi Lulzim Bashës të largohej pas disfatës në zgjedhje dhe thotë nuk ka ndërmend të heqë dorë nga beteja për rimëkëmbjen e Partisë Demokratike.

“Personalisht do vazhdoj të jem një zë që u bëjë thirrje demokratëve që ta marrin në dorë fatin e PD përmes futjes se një fryme demokratike. Lulzim Basha nuk është njeriu që mund të fusë frymë në PD, nuk është njeriu që e bën PD hapësirë lirie.”

Per Mustafajn, një rikonfirmim i Lulzim Bashës në krye të demokratëve është një fund fatal për Partinë Demokratike.

 “E shoh si një organizëm në gjendje shumë të rendë tani dhe që do vazhdojë deri në vdekjen e vet klinike, të gremiset.”

/Tv Klan