Bangladeshi ka nënshkruar një marrëveshje me Myanmar-in për rikthimin e qindra mijërave myslimanë Rohingya të cilët u arratisën drejt vendit fqinj, pas sulmeve që pësuan nga ushtria.

Asnjë detaj nuk është publikuar në lidhje me këtë marrëveshje që u nënshkrua në kryeqytetin e Myanmar.

Organizatat joqeveritare kanë ngritur shqetësimin për rikthimin e myslimanëve Rohingya, për aq kohë sa nuk është garantuar plotësisht siguria e tyre.

Më shumë se 600,000 persona kanë shkuar drejt Bangladeshit që kur filloi dhuna në shtetin Rakhine në Gusht.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Rex Tillerson, deklaroi javën e shkuar, që lëvizja ushtarake kundër popullit Rohingya është spastrim etnik. Vetë ushtria ka mohuar që të ketë vrarë ndonjë person, të ketë djegur fshatra apo të ketë përdhunuar gra dhe vajza atje.

Si Bangladeshi dhe Myanmar-i janë nën presion për ta zgjidhur këtë çështje për arsye të ndryshme.

Bangladeshi do t’i tregojë popullit të tij se këta refugjatë nuk do qëndrojnë përgjithmonë.

Ndërsa autoritetet e Myanmar, veçanërisht liderja Aung San Suu Kyi, janë nën presion nga ndërkombëtarët për të bërë më shumë për zgjidhjen e krizës.

/tvklan.al