Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin,

Nasip Naço deklaroi publikisht votën e tij pro heqjes së imunitetit të deputetit Saimir Tahiri. Në një prononcim për gazetarët ai tha se deputetë nuk duhet të mbrohen pas imunitetit. 

“Unë do doja që të deklaroj votën time pro dhënies së autorizimit për deputetin Saimir Tahiri sepse është në moralin dhe standardin të LSI, të vendosur që në vitin 2009, deklaruar që për çdo deputet të LSI, nuk gëzon mandat kur ka një kërkesë nga prokuroria, kur ka një akuzë të caktuar. Deklaruar kjo dhe në vitin 2012, në ndryshimet kushtetuese, është për deputetët e LSI-së, dhe sigurisht që është për të gjithë deputetët e tjerë. Është një standard moral i vendosur, ne nuk duam që të mbrohemi pas imunitetit. Besoj që edhe zoti Tahiri nuk do të mbrohet pas imunitetit”.

Naço tha se sot është një ditë jo e mirë për grupin parlamentar të PS-së dhe për Tahirin, por një ditë e mirë për shqiptarët sepse organi i Prokurorisë po punon në mënyrë profesionale.

“Personalisht nuk më ka kërkuar njeri të jem avokat, as kam për ta bërë ndonjëherë të jem avokat i askujt. Personalisht nuk kam ndërmend të bëhem prokuror apo gjyqtar. Unë jam deputet në këshillin e mandateve dhe imuniteteve. Aty shikohet vetëm procedura, nëse ka një akuzë konkrete, ka fakte, prova, të cilat i ka depozituar organi procedues. Mbështes organin procedues që të vazhdojë akoma më tej të bëj hetime të gjithanshme, nëse jepet autorizimi dhe duhet të jepet autorizimi të bëj kontrolle të vendeve të banesës dhe të marri masat që ajo çmon për të hetuar me objektivitet këtë çështje, gjithmonë duke u ruajtur interferencave politike. Kam bindjen që këta prokurorë nuk kanë interferenca politike. Nuk besoj që janë diskutuar në asamblenë e Partisë Socialiste  dhe këta kanë marrë procesverbalin dhe dalin dhe ngrenë akuzë. Apo pretendime të dhëna në parlament apo në media. Kemi një fakt i cili ka ndodhur: arrestimi i katër personave, me tendenca të theksuara kriminale për trafikun e lëndëve narkotike, për grup të strukturuar kriminal në Itali. Materialet e tyre në unitet me materialet e tjera që ka organi procedues, unë besoj që i kanë krijuar bindjen gjithkujt, që PS, unë besoj se edhe grupi i saj parlamentar, nuk është një ditë e mirë për ta sot, nuk është një ditë e mirë për deputetin Sajmir Tahiri, por është një lajm i mirë për shqiptarët që organi i Prokurorisë po punon në mënyrë profesionale për të hetuar dhe do jetë gjykata ajo që do vendosi për të gjithë hetimin procedural që bën prokuroria. Edhe njëherë përfitoj nga rasti përmes jush ti bëj thirrje Grupit Parlamentar të PS-së që të mos ti bëhet mburojë dhe ta mbrojë z.Tahiri, por ti hapi rrugë këtij procesi që e presin gjithë shqiptarët por dhe partnerët tanë ndërkombëtar”./tvklan.al