“Ballkani Perëndimor është në rrezik dhe për këtë arsye duhet të mbështetet fort në integrimin e tij Euro-Atlantik”.

Në këtë përfundim doli Asambleja Parlamentare e NATO-s. Në draft-raportin e saj, NATO e vë theksin te përhapja e korrupsionit në rajon, gjendja brishtë e demokracisë dhe niveli i lartë i papunësisë. Asambleja parlamentare, nënvizon gjithashtu se Ballkani Perëndimor mbetet një shqetësim për aleancën ushtarake, e cila është e pranishme në Kosovë përmes misionit të KFOR-it. Kosova po përballet me tensionet me Serbinë, vijon raporti, të cilat u përshkallëzuan më tej me dërgimin në kufi nga Beogradi, të trenit me parulla nacionaliste dhe me përpjekjen e Prishtinës për të krijuar ushtrinë e Kosovës.

Asambleja Parlamentare e NATO-s shpreh shqetësim të madh për krizën politike në Maqedoni, ku presidenti Ivanov refuzon t’i japë mandatin Zoran Zaevit.

Një vlerësim të veçantë ka marrë roli kyç i Bashkimit Europian, përmbajtjen e stabilitetit në rajon. Por nga ana tjetër raporti vlerëson se korrupsioni, klientelizmi dhe manipulimi i votës lidhen me kapjen e shtetit nga elita që kanë pak interes në përparimin e demokracisë.

Në mbyllje Asambleja Parlamentare e NATO-s gjykon se Ballkani Perëndimor rrezikon të devijojë në ideologji nacionaliste dhe autoritarizëm.

Tv Klan