Françesk Radi, është një tjetër artist që humbet muzika e lehtë shqiptare. Kantautori u largua nga kjo jetë në moshën 67 – vjeçare. Shkak për humbjen e parakohshme u bë një hemoragji cerebrale, që prej disa ditësh e mbajti të mbërthyer në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. 

I kujdesshëm gjithnjë që fondit të muzikës shqipe t’i dhuronte një krijimtari ku poezia, muzika, orkestracioni dhe interpretimi të ishin të arrira, emri i Françesk Radit do të na sjellë ndërmend këngë si “Biçikleta”… apo “Adresa”…

E kjo e fundit përbëri në vitin 1972, jo vetëm një nga më të dëgjuarat, por edhe një hap para në krijimtarinë muzikore të asaj kohe.

Pas suksesit me “Adresa”, emri i Çeskut ishte në listën e gjatë të artistëve që u ndëshkuan pas Festivalit të 11, të Radio Televizionit Shqiptar, i cilësuar si përhapës i kulturës borgjeze.

Për dhjetë vite, ai punoi si mësues muzike në Fushë – Arrëz të Pukës.

U rikthye në vitin 1990, po aq suksesshëm sa para tij. “Rroku i burgut”, “Zemër e lodhur”, “Telefonatë zemrash” e “Ky fat na ra”, përbëjnë edhe pjesën më të madhe të karrierës së tij mbi 40 – vjeçare.

Homazhet në nder të Françesk Radit do të mbahen nesër nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar.

Tv Klan

https://www.youtube.com//embed/M13gwrr_xrI

https://www.youtube.com//embed/Wn2oJEvJ0uc