Shuhet në moshën 91-vjeçare Kasëm Trebeshina. Lajmi i vdekjes së shkrimtarit ditën e hënë në Ankara të Turqisë ku jetonte prej vitesh dhe ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit në Tiranë në pasditen e së martës është mbajtur nga familjarët larg vëmendjes së medias, opinionit publik dhe institucioneve të kulturës.

Kasëm Trebeshina ndërpreu mësimet në shkollën Normale të Elbasanit për t’iu bashkuar Luftës Nacional-Çlirimtare. Ai filloi studimet e larta në Institutin e teatrit “Ostrovski” në Leningrad, por nuk i përfundoi ato. Kundërshtimi i vazhdueshëm i drejtimit që synohej t’i jepej letërsisë dhe arteve gjatë viteve të regjimit komunist e çuan Trebeshinën më se njëherë në burg, si edhe i hoqën të drejtën e botimit. 

Krijimtaria e Kasëm Trebeshinës zë fill më 1953 me dramën historike “Kruja e çliruar”.  Pjesë e fondit arkivor të Bibliotekës Kombëtare janë shumë vepra të shkrimtarit, të botuara pas gati 40 vjetësh nga e para.

Krahas krijimtarisë letrare, një vend të veçantë zënë edhe studimet e shumta mbi veprën letrare të Trebeshinës, por edhe mbi jetën e tij të trazuar, në gjuhën shqipe ose të huaj.

Në fondin e vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare ruhet edhe dorëshkrimi i shkrimtarit “Historia dhe njerëzit e saj : bisedë në mbrëmje vonë” në të cilën shkrimtari, përmes një proze politike, ka shpalosur pikëpamjet e tij politike e shoqërore, shkruar në Ankara në vitin 1997.

E shtrirë në kohë, e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara, e pasur dhe origjinale, vepra e Kasëm Trebeshinës, në një pjesë të saj ende e pabotuar, përbën një nga zërat më interesantë të letërsisë shqipe të pas luftës.

 Tv Klan