Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare nga shkaqe natyrore regjisori i njohur Mihal Luarasi.

Ai ishte një ndër regjisorët më të njohur të viteve 1957-1973, kur edhe filloi të përplasej me regjimin për shkak të veprave që vinte në skenë.

Përplasja e fundit dhe fatale në festivalin XI në RTVSH në vitin 1972 solli edhe burgosjen e tij për tetë vite. Pas daljes nga burgu ai punoi si bojaxhi ndërsa pas vitit 1990 u largua për në Hungari, ku edhe kishte përfunduar studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit.

Në Budapest ai vuri në skenë dramën e Rexhep Qosjes “Vdekja e një mbretëreshe”, ndërsa në vitin 1995 u ftua nga Teatri Kombëtar në Tiranë dhe vuri në skenë dramën “Hekurat” të dramaturgut hungarez Göncz Arpad.

Luarasi është regjisor i disa veprave të rëndësishme të vëna në Teatrin e Operas dhe Baletit si “Karmen”, “La Traviata”, “Pranvera”.

Regjisori i njohur është nderuar me disa tituj si “Nderi i Kombit” dhe Artist i Popullit./tvklan.al