U nda nga jeta në moshën 93-vjeçare, ish-Presidenti i Izraelit, Shimon Peres. Prej dy javësh, ai mbahej në spital në Tel Aviv, në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi u godit nga një ishemi cerebrale. Shimon Peres ishte një nga themeluesit e shtetit të Izraelit, në vitin 1948.

Ai mori çmimin Nobel për paqen në 1994-ën, për kontributin e tij në negociatat për marrëveshjen e paqes me palestinezët. Një gjurmë të veçantë la fjalia e tij, kur tha asokohe se “palestinezët janë fqinjët më të afërt të izraelitëve dhe mund të bëhen edhe miqtë më të mirë”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, shprehu dhimbje për atë që e quajti njeri të dashur për të gjithë kombin. Një mesazh ngushëllimi dha edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, i cili e cilësoi Peresin një mik të shtrenjtë. Obama tha se ai ishte një njeri me vizion dhe progres njerëzor, për të njohur dhe përparuar me njerëz dashamirës.

Tv Klan