Akademiku i njohur Ylli Popa u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare. Shëndeti i tij u përkeqësua pas një sëmundje kronike prej të cilës mjeku i njohur kardiolog vuante prej kohësh.

Intelektuali i njohur që për një dekadë drejtori Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, është themeluesi i shkollës së parë të kardiologjisë.

Si mjek dhe mësimdhënës Ylli Popa është autor i disa kërkimeve shkencore. Ish deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë për dy legjislatura, profesori u bë një nga intelektualët e parë që u shpreh kundër regjimit komunist në fillim të vitit 1990.

Në mesazhin e tij ngushëllues kryeministri Edi Rama shkruan se Ylli Popa la pas një kujtim të mirë dhe një shembull të çmueshëm tek të gjithë ata që jetuan momentet e kalimit nga diktatura në liri./Tv Klan