Katër efektivë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në Tiranë janë ndaluar nga autoritetet, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Ata janë Viktor Kalemi, 49 – vjeç, Gëzim Muka, 44 – vjeç, Adriatik Allushi, 56 – vjeç, Pali Bushgjokaj, 56 – vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, këta efektivë duke qenë me detyrë në ruajtjen e personave të dëmtuar në spital, lidhur me ngjarjen e datës 7 Prill, dyshohen të kenë shpërdoruar detyrën duke lejuar futjen e sendeve të kundraligjshme.

Ndalimi i tyre u krye nga Krimet e Rënda të Elbasanit, në bashkëpunim me Prokurorinë e këtij qyteti dhe në bashkëpunim me Shërbimet e Kontrollit të Brendshëm të Drejtorisë së Burgjeve.

Një ditë më parë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”./tvklan.al