Presidenti rus Vladimir Putin mohoi që Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidencial amerikane të vitit të kaluar, duke thënë se akuza të tilla janë “thjesht zhurma” që theksohen për arsye politike në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Putin i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët për shtyp në Soçi të Rusisë, me kancelaren gjermane Angela Merkel, pasi të dy udhëheqësit u takuan në mesin e tensionimit përherë e më të madh të marrëdhënieve mes tyre, lidhur me luftën në Siri dhe aneksimin nga Rusia të rajonit të Krimesë, në Ukrainën fqinjë.

Këto komente të zotit Putin bien në kundërshtim me gjetjet e agjencive të zbulimit, të cilat kanë njoftuar se Rusia ishte përgjegjëse për piretarinë kibernetike të llogarive të emailit të Partisë Demokratike. Synimi ishte që nga ky veprim të përfitonte kandidati republikan Donald Trump dhe për të dëmtuar rivalen e tij politike, Hillary Clinton.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, zonja Merkel tha se ajo nuk kishte frikë nga rreziku i kërcënimeve të ndëhyrjes ruse gjatë zgjedhjeve të këtij viti në Gjermani dhe se do t’u përgjigjej infromacioneve të pasakta me fakte.

Në bisedimet e së martës në Soçi, zonja Merkel dhe zoti Putin patën mosmarrëveshje të thella lidhur me shkakun e konfliktit në Ukrainë. Por të dy ata përsëritën mbështetjen e tyre për marrëveshjen e paqes.

Lidhur me Sirinë, Gjermania ka kundërshtuar me forcë mbështetjen e Rusisë për Presidentin Bashar al-Assad. Merkel ka sugjeruar se Rusia është pjesërisht përgjegjëse për dhunën, nga shkaku i sulmeve ajrore të kryera nga forcat ruse në rajonet e banuara nga civilë.

Zoti Putin bëri thirrje të martën për fuqizimin e marrëveshjes së brishtë të paqes. Negociatat e paqes, të udhëhequara nga rusët, pritet të mbahen të mërkurën në kryeqytetin e Kazakhstanit, Astana. Në bisedime do të marrin pjesë përfaqësues të rebelëve sirianë dhe zyrtarë qeveritarë.

Vizita e zonjës Merkel në Rusi ishte vizita e parë bilaterale atje, që kur Russia aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014, një veprim që precipitoi në konfrontimin më intensiv mes Moskës dhe Perëndimit që nga koha e Luftës së Dytë Botërore./VOA