RAMA

Mbështetja e projekteve në infrastrukturë për Ballkanin Perendimor nuk është kërkesa e vetme që këto vende i drejtojnë Bashkimit Europian. Kryeministri Rama duke folur në konferencën e organizuar për 10 vjetorin e Komunitetit Energjitik, ku Shqipëria ka presidencën e radhës në emër të gjithë vendeve të rajonit ka kërkuar që BE të jëtë mbështesë për krijimin e ndërlidhjes energjitike midis këtyre shteteve ballkanike që sipas tij janë jetike jo vetëm për ekonomitë e tyre, por dhe për të ardhmen e sigurisë energjitike të vetë Europës.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: “Mbështetja e BE-së për planin tonë konkret të veprimit për zgjerimin e sektorit energjetik në rajonin tonë dhe ndërlidhjen energjetike rajonale duhet të jetë prioriteti më i lartë”.

Për kryeministrin Rama vetë vendet e Ballkanit duhet ta shohin me prioritet integrimin rajonal të tregut energjitik si një mundësi reale për të përmirësuar ekonomitë kombëtare.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: “Integrimi rajonal, përmes mbështetjes së sektorit të energjisë, duhet të jetë objektivi ynë i përbashkët sepse nëse ne, kur vjen puna tek ndërlidhja, tek infrastruktura rrugore, apo tek sektorë të tjerë që ne duhet të zhvillojmë, jemi mjaft të varur nga fondet e BE-së, nuk do të mund t’ia dalim pa to, por kur vjen puna për të integruar tregun e energjisë, e para dhe mbi të gjitha ne mund të varemi nga vullneti ynë dhe bindja jonë se së bashku ne mund të bëjmë më shumë dhe se së bashku, ne jo vetëm mund të bëjmë foto historike, të cilat nuk janë më të tilla, por së bashku ne mund të përmirësojmë realisht ekonomitë tona”.

Rama ka kërkuar mbështetjen e Bashkimit Europian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe për të patur suksese në luftën ndaj ndryshimeve klimaterike, pasi pa këtë mbështetje thotë ai këto shtete e kanë të pamundur të arrijnë rezultate pozitive. Rama ka folur gjatë për reformën që qeveria e tij ndërmori në sektorin energjik për të luftuar abuzimet që kompania çeke “Chez” nuk ia doli t’i ndalte sa kohë administroi kompaninë e shpërndarjes së energjisë. Për zgjidhjen e marrëdhënies konfliktuale që përfundoi në gjykatën e arbitrazhit pas prishjes së kontratës nga qeveria shqiptare me këtë kompani, Rama zbuloi se kanë negociuar dhe drejtuesit e komunitetit të energjisë.

Tv Klan