grupi-parlamentar-PDPartia Demokratike ka dorëzuar kërkesën për mbajtjen në Kuvend të një interpelance urgjente me Kryeministrin e vendit lidhur me dhunën e ushtruar nga policia ndaj studentëve protestues që kishin shpallur grevën e urisë.

Për këtë çështje demokratët mblodhën Grupin Parlamentar pasditen e së dielës. Ata e konsidrojnë ndërprerjen e grevës, një shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit thuhet se deputetët e opozitës parlamentare janë thellësisht të shqetësuar për këtë fakt dhe për përsëritjen e vazhdueshme të dhunimit të të drejtave të shqiptarëve, nëpërmjet përdorimit të forcës nga Policia e Shtetit.

Në vlerësimin e Demokratëve është detyrë e Kryeministrit të një vendi kandidat për në Bashkimin Europian që të analizojë me përgjegjshmëri këto fakte tronditëse, si dhe të mbajë qëndrim publik mbi punën e kryer nga strukturat e Policisë së Shtetit”, thuhet në kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon Kryetarit të Kuvendit që këtë çështje ta përfshijë në rendin e ditës së seancës së ditës enjte më 5 Mars.

35 studentë të Universitetit të Mjekësisë që ishin futur në grevë urie në ambientet e Fakultetit të Infermierisë u nxorrën me forcë nga policia natën e 28 Shkurtit. Ata akuzuan policinë për ushtrim të dhunës dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Studentët janë rregjistruar në universitetin publik pas mbylljes së universiteteve private. Ata kërkojnë ulje të tarifës së shkollimit, por kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh.

Tv Klan