Temperaturat mbi 40 gradë celsius kanë detyruar edhe kompaninë e shpërndarjes së energjisë që të ngrejë grupet e punës në të gjithë Shqipërinë për të riparuar defektet që vijnë nga ngarkesa e rrjetit dhe nxehtësia. Janë 1500 punonjës të shpërndarë në të gjitha qytetet e vendit për të bërë rregullimin e avarive, ndërsa ka filluar zbatimi i planit të masave për institucione të rëndësisë së veçantë si spitalet, policia dhe ujësjellësit.

Për të gjithë institucionet jetike, OSHEE është detyruar të bëjë lidhje paralele në mënyrë që të garantohet furnizimi i pandërprerë me energji. Kompania u bën thirrje konsumatorëve që të ulin konsumin e energjisë dhe të evitojnë përdorimin e pajisjeve elektroshtëpiake gjatë orëve të pik-ut. Një ditë më parë i gjithë qyteti i Përmetit mbeti pa energji elektrike, për shkak të mbingarkesës së rrjetit dhe nxehtësisë që u shkaktua në rrjet nga moti.

Përveç këtyre defekteve, ditët e fundit, punimet e hapura nga institucionet publike në Tiranë dhe disa qytete të tjera kanë sjellë dëmtim të rrjetit të furnizimit me energji dhe kanë lënë banorët pa drita për disa orë. OSHEE ka kallëzuar penalisht të gjitha firmat private qe sipas saj që janë përgjegjëse për dëmtimin e rrjetit elektrik. Thatësira e këtij sezoni dhe prurjet minimale në kaskadën e Drinit kanë bërë që prej nje jave OSHEE ka nisur importin energjisë ku vetëm për korrikun kostoja shkon 17 milionë euro.

Tv Klan