ndertimet pa lejeVetëm pak ditë pasi kryeministri Rama njoftoi kalimin e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në vartësi të Ministrisë së Brendshme, policia ka nisur një aksion në shkallë vendi kundër personave që ndërtojnë pa leje, në tokë shtetërore apo private.

Në afro 1 javë, janë proceduar penalisht 369 persona, 54 prej tyre vetëm në fundjave.

Policia ka arrestuar në flagrancë 32 persona që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, ndërsa 12 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Nga 32 të arrestuarit, vetëm 2 prej tyre janë mbajtur në burg nga gjykata.

Për 3 të tjerë gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa për 27 të tjerë masën detyrim paraqitje.

Këta të fundit do të procedohen në gjendje të lire, me 325 autorë të tjerë të ndërtimeve pa leje.

Kur njoftoi kalimin e INUK në vartësi të Ministrisë së Brendshme, Kryeministri foli me shqetësim për prokurorinë e gjykatën.

Teksa tha se ka marrë mbështetjen e Prokurorit të Përgjithshëm për këtë betejë, kreu i qeverisë theksoi se drejtësia nuk ka bërë asgjë deri më sot për t’i vënë fre këtij fenomeni dhe për më tepër nuk ka kurajon t’i mbajë në burg shkelësit e ligjit.

Edi Rama, 25 gusht 2014: “Në mbi 1000 raste që për herë të parë në historinë e vetë Policia e Shtetit ka denoncuar, nuk kanë arritur të gjejnë kurajën ligjore dhe morale që të mbajnë në burg qoftë dhe një të vetëm, me atë teorinë e ndjekjes në gjendje të lirë që nuk është gjë tjetër, veçse kthim në vendin e krimit të grabitësit të tokës dhe ndërtuesit të paligjshëm, për të vazhduar ndërtimin e vet të paligjshëm”.

Në statistikat zyrtare të policisë, vihet re se numri më i madh i ndërtimeve pa leje është konstatuar në Tiranë, me 97 raste, më pas renditet Durrësi me 54 raste, Elbasan 51 raste, Fieri 33 dhe Lezha 34 raste.

Tv Klan