Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe drejtuesit e Klubit Sportiv Skënderbeu kanë marrë masat për garantimin e zhvillimit normal të ndeshjes Skënderbeu- Kukësi, e cila do të luhet ditën e sotme në orën 18:00.

Ndeshja e futbollit ndërmjet këtyre ekipeve është e vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Futbollit, Kategoria Superiore.

Shërbimet policore do të rrethojnë gjithë perimetrin përreth Stadiumit, me qëllim parandalimin e çdo incidenti, dëmtimin e pronës së shtetasve dhe sigurimin e rregullit e lëvizjes së tifozëve

Po ashtu, nuk do të lejohen tregtarët ambulantë në këtë unazë dhe në lulishtet përpara dhe pas stadiumit.

Do të ndalohet përdorimi i  pijeve alkoolike, shisheve të qelqit, fishekzjarrëve, shashkave zhurmuese e tymuese, materialeve të tjera piroteknike, si dhe mbajtja e çelësave, çakmakëve, monedhave metalike dhe objekteve të tjera të forta të ndaluara në mjediset e stadiumit.

Qytetarët që janë pajisur me biletë,të marrin masa për paraqitjen në ambientet e stadiumit përpara fillimit të ndeshjes, duke llogaritur dhe kohën e procedurave të kontrollit.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe Klubi i Futbollit “Skënderbeu” kërkojnë një sjellje korrekte dhe të kulturuar të tifozëve, shmangien e veprimeve që mund të çojnë në konflikte mes tyre dhe cënimin e rendit publik./tvklan.al