Dhjetëra tifozë dhe të tjerë që nuk kishin qenë ndonjëherë në një sallë sportive u mblodhën mbrëmjen e së martës për të ndjekur ndeshjen e basketbollit Tirana – Ardhmëria. Më shumë se të shijonin miqësoren ata ishin për një tjetër qëllim, të ndihmonin ish – futbollistin e Tiranës, Artur Lekbellon, i cili po kalon një sëmundje të rëndë muskulare.

Grupimi “Tirona Fanatics” dhe Klubi i Basketbollit Tirana ftuan këdo që të bëhej pjesë e kësaj nisme. Të ardhurat nga biletat edhe pse modeste ishin një mbështje për Lekbellon. Të gjithë paguan hyrjen përfshi lojtarët, që zbritën në fushë edhe pse sezoni kishte përfunduar.

Erkand Karaj:

“Të gjithë morëm bileta madje, por e rëndësishme është që u organizuam pavarësisht se ishim pushim.”

Në sallën “Farie Hoti” nuk mungonin edhe ish – lojtarë të Tiranës si Ansi Agolli, Ervin Bulku dhe Isli Hidi.

Afrim Bilali:

“Uroj që të ketë edhe aktivitete të tjera që të shtohet fondi në ndihmë të Lekbellos.”

Ndihma për sëmundjen e Artur Lekbellos nuk mungoi edhe nga Klubi i Skënderbeut që vendosi të dhurojë gjysmën e të ardhurave nga biletat e shitura nga sfida me Tiranën. Lekbello ose Tushja siç njihet nga tifozët luajti pët Bardheblutë në vitet 80’, ndërsa më pas veshi fanellën e Arisit të Selanikut. Klubi Grek ishte i pari që reagoi, duke dhënë ndihmë. Artur Lekbello ishte pjesë e Kombëtares në vitet 80’-90’. Si trajner drejtoi Tiranën për pak kohë në vitin 2012.

/Tv Klan