Është ekzekutuar të mërkurën në Athinë kryemafiozi grek, Vassilis Stefanakos, i akuzuar për përfshirje në një vrasje të kryer nga shqiptari Alket Rizai, të cilin më pas raportohet se e ka ndihmuar në arratisjen spektakolare nga burgu me helikopter.

Gazeta greke “Kathimerini” raportoi se trupi i Stefanakos u gjet i vrarë pasditen e së mërkurës në Haidari, në Attican perëndimore.

Sipas policisë, ai rezulton të jetë qëlluar me kallashnikov. Makina me trupin e pajetë u gjet afër një pike shitjeje makinash të përdorura, që ishte në pronësi të tij.

Stefanakos ishte liruar nga burgu në Gusht të vitit 2016, pasi kishte kaluar 8 vite pas hekurave. Ai përfitoi nga një amnisti, megjithëse ishte dënuar me 21 vite burg për përfshirje në një vrasje të kryer nga Alket Rizani në vitin 2006. Ai po ashtu kishte ndihmuar Rizain dhe Vassilis Palaiocostasin të arratisen nga burgu i Korydallosit në vitin 2009. Stefanakos ishte dënuar edhe me 14 vite burg për aktivitete të tjera kriminale.

/tvklan.al