Përpjekja e dështuar për grushtet vitin e kaluar në Mal të Zi ishte një nga dëshmitë më shqetësuese të ndikimit rus në Evropën Juglindore, thanë ekspertët në një seancë dëgjimore në senat. Rusia po përdor metoda të ndryshme, si propagandën, mediat sociale dhe investimet për të realizuar ambicjet e saj neoimperialiste në botë, thanë pjesëmarrësit në seancën e organizuar nga Komisioni i Senatit për Forcat e Armatosura. Përmes këtyre veprimeve, thanë ekspertët, Rusia po përpiqet të minojë institucionet euro-atlantike si Nato-n dhe Bashkimin Evropian. Festim Gashi i Zërit të Amerikës njoftton.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, John McCain në hapje të seancës dëgjimore shprehu shqetësimin e tij të thellë në lidhje me veprimet ruse në Evropën Juglindore.

“Ajo që ka ndodhur në Mal të Zi ishte një nga dëshmitë më shqetësuese deri më sot se sa larg Vladimir Putin ka vullnet të shkoj për të minuar Perëndimin, për të frikësësuar vendet e tjera dhe për të realizuar ambiciet e tij neoimperialiste. Synimet e Rusisë në Mal të Zi ishin të qarta: parandalimin e anëtarësimit të vendit në Nato, eliminimin e përparimit të vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndalimin e mbështetjes së Malit të Zi për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës Lindore”.

Janusz Bugajski, një nga ekspertët e ftuar për të dëshmuar në këtë seancë, tha se Moska e sheh Naton dhe Bashkimin Evropian si një kërcënim ndaj ambicieve të saj ekspansioniste. Për këtë arsye, sipas Bugajskit, Rusia po përpiqet të krijojë përçarje dhe të dobësojë institucionet demokratike në Evropë, përfshirë Ballkanin Perëndimor.

“Ballkani shihet nga Moska si një pikë e dobët e Evropës, ku mund të nxiten konfliktet e kaluara, mund të gjenden aleatë, dhe mund të shfrytëzohen mundësitë ekonomike. Rusia ka katër kanale ndikimi në rajon: energjinë, korrupsionin, nacionalizmin dhe propagandën”.

Zoti Bugajski shtoi se Kremlini është i angazhuar në një propagandë sulmuese përmes mediave lokale, internetit dhe rrjeteve sociale për të përmirësuar prestigjin e Rusisë. Moska, përmes këtyre metodave, po përpiqet të nxisë ndjenjat anti-evropiane dhe anti-amerikane duke e prezantuar veten si një mbrojtëse të vlerave tradicionale.

“Rusia po shpenzon një miliard dollar në vit vetëm për përhapjen e propoagandës”,

tha ekspertja Lisa Samp nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ekspertët që dëshmuan në seancë theksuan se Rusia po përpiqet të destabilizojë edhe Bosnjen, Kosovën dhe Maqedoninë. Nënpresidenti Ekzekutiv i Këshillit Atlantik, Damon Wilson vuri në dukje se Rusia po delegjitimon shtetësinë e Kosovës duke bllokuar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare si OKB, UNESCO dhe OSBE.

“Më shqetësuese kanë qenë provokimet si përpjekja për të dërguar në Kosovë një tren rus me mbishkrime ortodoske dhe pro-serbe. Dhe Beogradi tani i kontrollon përfaqësuesit politik të serbëve në Kosovë. Për t’iu kundërvënë këtyre lëvizjeve, Bashkimi Evropian duhet të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje më të mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ne mund të bëjmë më shumë. Nëse Shtetet e Bashkuara e thonë qartë se do të ketë një prani të fortë dhe të vazhdueshme të trupave në kampin Bondsteel në Kosovë me synim ndërtimin e kapaciteteve të vendeve të rajonit, kjo të ndryshonte mentalitetin e rajonit dhe do të shihet si një angazhim ndaj sigurisë së mbarë rajonit”.

Nëse Perëndimi nuk reagon në mënyrë më të vendosur, Rusia mund të intensifikojë përpjekjet e saj destabilizuese në rajon, nënvizuan ekspertët.

“Përpjekjet e ardhshme të Rusisë ka shumë të ngjarë të jenë më të sofistikuara dhe më të gjëra, duke nxitur udhëheqësit serbë në Bosnjë kundër popullatës myslimane, duke krijuar një përplasje mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni, apo duke provokuar një konflikt serbo-malazez”, tha zoti Bugajski.

Megjithatë, Perëndimi nuk duhet të ndalë përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike të vendeve të rajoni dhe anëtarësimin e tyre në Nato dhe BE. Përkundrazi, ekspertët thanë se vendet Perëndimore duhet të shtojnë përpjekjet e tyre në këtë drejtim.

“Përpjekjet e Malit të Zi për anëtarësim në institucionet euro-atlantike nuk kanë kaluar pa vështirësi, por Mali i Zi është treguar i fortë dhe përmes kësaj i ka dërguar një mesazh të fuqishëm Vladimir Putinit dhe të gjithë tiranëve të tjerë se ata nuk do të mund të kontrollojnë fatin e njerëzve të lirë në Mal të Zi, në Evropën Juglindore ose në rajone të tjera të botës”, tha senatori McCain.

Ekspertët ishin të një mendimi se mungesa e një reagimi më të fortë nga Perëndimi ka trimëruar Vladimir Putinin. Prandaj, ata bënë thirrje për një politikë më të qartë dhe më të unifikuar të Perëndimit ndaj përpjekjeve ruse./VOA