Një skaf me drogë është bllokuar nga policia si dhe janë arrestuar dy trafikantët. Policia e Shtetit bën me dije se rasti i trafikut ndërkombëtar të drogës u godit nga operacioni i përbashkët mes policisë shqiptare, policisë italiane dhe policisë së Malit të Zi.

Pas një ndjekje 5 orë në ujëra ndërkombëtare, autoritetet mundën të bllokonin gomonen dhe dy trafikantët.

Forcat e policisë së kufirit të Shqipërisë me koordinimin e QNOD, NUFROM i Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë dhe policia e kufirit të Malit të Zi kishin dalë në afërsi të kufirit Shqipëri -Mali i Zi ku edhe ishte drejtuar gomonia pasi i ishte afruar njëherë bregdetit të Termolit në Molizë nga ku edhe ka filluar ndjekja.

Gjatë ndjekjes trafikantët kanë hedhur në det ngarkesën duke e bërë më të vështirë ndjekjen.

Tashmë trafikantët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, dhe gomonia janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar autoriteteve gjyqësore italiane.

Vijon rikuperimi i lëndës narkotike, ku ende nuk dihet pesha, pasi për shkak të errësirës është vështirë rikuperimi në det i lëndës narkotike.

Për shkak të sekretit hetimor, policia nuk jep të tjera detaje. /

tvklan.al