RAMA NE KUVENDQeveria do të dorëzojë ditën e hënë në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2015, në të cilën ka parashikuar edhe rritjen e pensioneve, atë të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë si dhe personave më aftësi të kufizuar.

Të gjitha këto ndërhyrje në buxhet, Kryeministri tha se janë bërë në funksion të përballimit të heqjes së fashës prej 300 KW, si pjesë e reformës së nisur në sektorin energjetik.

Sipas Kryeministrit Rama aksioni i nisur kundër vjedhjes së energjisë elektrike është vetëm fillimi i reformës në këtë sektor, për të cilin tha se do të duhen pesë vite për ta kthyer atë me fitim.

Ministri i Energjetikës dhe Ministri i Brendshëm i’u kundërpërgjigjën akuzave të opozitës në lidhje me marrëveshjen me kompaninë çeke CEZ dhe aksionin për vjedhjen e energjisë elektrike.

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, duke vlerësuar punën e dy ministrave në këtë drejtim, kërkoi vijimësi dhe jo përqendrim vetëm tek aksionet.

Në seancën plenare, Kryeministri Rama foli edhe për aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe për rritjen e gjobave për ata që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, duke u dhënë përgjigje edhe akuzave të opozitës.

Tv Klan