Turqia votoi sot në referendumin më të rëndësishëm të historisë së saj moderne që prej shpalljes së republikës pothuajse 100 vite më parë. Megjithëse ka vetëm pak orë që ka përfunduar votimi në të gjithë vendin, “Anadolu Agency” thotë se autoritetet kanë numëruar rreth 94.76 për qind të votave.

Ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Presidenti Recep Tayip Erdogan janë mbështetur deri më tani nga 51.74 për qind e votuesve, teksa 48.26 kanë votuar kundër. Mirëpo, trajektorja e përqindjes së votave pro ka shkuar në rënie nga 65 për qind që ishte kur ishin të numëruara vetëm 20 për qind e kutive.

Opozitarët thonë se qeveria ka hapur në fillim kutitë ku mbështetja për partinë në pushtet është e madhe. Qëllimi? Për të krijuar demoralizim tek opozitarët dhe për të krijuar idenë se referendumi u fitua.

Fakti se në shtatë prej tetë qyteteve të mëdha kryeson kundërshtimi për ndryshimet kushtetuese, tregon se ky nuk është rezultati që priste Erdgan.

Në Stamboll, Izmir, Ankara, Adana, Antalya, Diyarbakir dhe Eskisehir kryeson vota “jo” për referendumin, ndërsa vetëm në Bursa kryesojnë mbështetësit e Erdoganit.

Ndërsa nëse në llogari merren 30 qytetet më të mëdha të Turqisë, në 17 prej tyre votat “jo” janë përpara.

Duket se gara është shumë e ngushtë mes dy kampeve dhe vendimi i popullit turk do të vendoset në kutitë e fundit.

Rreth 55 milionë turq kishin të drejtë vote, teksa pjesëmarrja në votime u regjistrua në 85 për qind, një përqindje shumë e lartë në krahasim me vendet perëndimore.

Nëse mbi 50% e popullit turk do të votojë “po”, 18 ndryshime kushtetuese do të konvertojnë sistemin qeverisës të Turqisë, nga parlamentar në presidencial. Si rrjedhim zyra e kryeministrit do të shfuqizohet dhe kompetencat ekzekutive do të kalojnë në dorë të presidentit.

Ndryshimet e propozuara në parlament do t’i japin të drejtën presidentit të emërojë ministrat dhe zyrtarët e lartë të qeverisë si dhe gjysmën e anëtarëve të organit me të lartë të drejtësisë në Turqi. Presidenti do të ketë gjithashtu të drejtë të shpalle dekrete dhe të deklarojë gjendje emergjence./tvklan.al