Qeveria do të fillojë mbështetjen e investimeve në fushën e  prodhimit të energjisë elektrike për kompanitë që do të financojnë mbi 100 milionë Euro. Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimet në ligjin për konçesionet dhe partneritetin publik-privat, ku i lihet në dorë këtij organi hartimi i akteve dhe procedurave për dhënien me koncesion të hidrocentraleve dhe termocentraleve private.

Televizioni Klan ka mësuar se deri tani kanë qenë disa investitorë të cilët janë të interesuar për të ndërtuar vepra energjetike, por koha për miratimin e kontratës, e cila zgjat deri në dy vjet i ka stepur ata. Për këtë qëllim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hartojë një vendim të veçantë i cili do të shkurtojë kohën e dhënies së koncesioneve në fushën HEC-eve dhe termocentraleve.

Në relacionin që shoqëron ndryshimet në këtë ligj, formula e koncesioneve nuk përjashton edhe mbështetjen buxhetore në raste të caktuara, por për këtë pikë Ministria e Financave ka kërkuar që çdo projekt të kalojë më parë në shqyrtim nga ajo për efektin që do të ketë në financat publike.

Në relacion, qeveria shpreh qartë synimin për të vijuar ndërtimin e hidrocentraleve deri në momentin që vendi ynë do të arrijë të plotësojë vetë nevojat për konsumin e energjisë. Relacioni shpreh qartë synimin e qeverisë e cila do të vijojë të mbështetë ndërtimin e veprave në fushën e energjisë. Që prej vitit 1999 Shqipëria vijon të jetë importues neto i energjisë elektrike.

Tv Klan