Skema e subvencioneve për fermerët do të ndryshojë. Për vitin e ardhshëm, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të rikonceptojë mënyrën se si fermerët bëjnë aplikimet për të përfituar fonde për mbështetjen e aktivitetit të tyre.

Deri më sot, ata duhet të plotësonin një listë të gjatë me dokumente, të cilat më pas i dorëzonin në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural për të marrë mbështjetjen financiare. Por kjo skemë nuk ka funskionuar dhe ka sjellë probleme, pasi një përqindje e vogël e atyre që bënin aplikimin arrinin të përfitonin fondet, duke ulur dhe numrin e aplikantëve çdo vit.

Tashmë i gjithë proçesi do të bëhet përmes vetëdeklarimit. Fermeri do të jetë i lirë të plotësojë formularin pa sjellë asnjë dokument që i vërteton të dhënat. Më pas do të jetë sistemi kompjuterik që do të bëjë përzgjedhjen e fitueseve. Përmes algoritmit software-i do të  përzgjedhë përfituesit sipas kritereve që janë të përcaktuara. Më pas ata që do të zgjidhen duhet të shkojnë e të dorëzzojnë dokumentet.

Për vitin e ardhshëm janë 115 milion dollarë që do të jepen mbështetje për këtë kategori, ku 25 do të shkojnë për fermerët e vegjël dhe 90 milion janë pjesë e fondit IPARD , i cili mbështet fermat e mëdha.

Tv Klan