Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, priti në takim një delegacion të lartë të Policisë Turke të kryesuar nga Selami Altinok, Guvernator dhe Drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë i Republikës së Turqisë.

Fokusi i këtij takimi ishte diskutimi i çështjeve në interes të përbashkët për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Policive të dy vendeve, në kuadër të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar si dhe shkëmbimi i eksperiencave në fushën e policimit.

Çako dhe Altinok kanë vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin midis Autoriteteve Policore Shqiptare dhe Turke, për parandalimin dhe goditjen e terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Të dy drejtuesit kanë nënvizuar gatishmërinë që ashtu si me vendet e tjera të Ballkanit, të thellojnë edhe më tej luftën kundër elementëve radikalë.

Të orientohen qartazi drejt partneritetit në të gjitha vendet e rajonit , si dhe në një front, në luftë kundër të gjithë këtyre fenomeneve që shqetësojnë dhe cënojnë sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.

Vendosmërinë për të kontribuar maksimalisht në parandalimin e çdo lloj iniciative dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore çdokënd që shkel dhe cënon sovranitetin ose sigurinë e kombeve.

“Në emër të Policisë së Shtetit ju shpreh mirënjohjen e thellë lidhur me çdo mbështetje, e në mënyrë të veçantë, me kontributin që i është dhënë Policisë së Shtetit në arsimimin policor, por edhe me vazhdimin e specializimeve që bëjnë oficerët e Policisë Shqiptare në Akademinë e Turqisë. Keni treguar se pavarësisht nga gjuha, misioni dhe qëllimi ka qenë i njëjtë, ndaj dhe operacionet e përbashkëta kanë pasur sukses të padiskutueshëm dhe të vlerësuar nga partnerët tanë”,

tha Çako.

“Jam tepër i lumtur që si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Turke ndodhem këtu në Shqipëri, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shqiptare. 

Unë uroj dhe dëshiroj që kjo vizitë të kontribuojë shumë në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit që vazhdon prej një kohe të gjatë midis dy Drejtorive të Përgjithshme të dy insititucioneve tona. 

Marrëdhëniet tona po vazhdojnë në të gjitha fushat në një mënyrë të përkryer. 

Ka patur një bashkëpunim shumë të mirë dhe intensiv në fushën e trajnimeve midis dy Drejtorive të Përgjithshme”,

u shpreh Altinok.

Në fund të takimit Selami Altinok, ka shprehur kërkesën që gjatë vitit 2018 të mblidhet Komisioni i Përbashkët për Sigurinë, dhe ky Komision të mblidhet në Turqi, kërkesë që u mirëprit dhe u vlerësua si shumë e vlefshme nga Çako.

Gjatë vizitës në vendin tonë, delagacioni i lartë i Policisë Turke, zhvilloi disa vizita e takime, në Elbasan e Krujë.

/tvklan.al